VIDEO/ U shkatërrua nga rrëshqitja masive e tokës, nis demontimi i urës së Dragostunjës tek “Arrat e Gurrës”

Ka nisur zyrtarisht mëngjesn e kësaj të mërkure puna për demontimin e urës së Dragostunjës në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, pasi struktura u shkatërrua rëndë nga rrëshqitja dhe fundosja e tokës. Ura pësoi dëmtime fatale pas një lëvizjeje të fuqishme të masivit të dheut, që destabilizoi themelet dhe e bëri të pamundur çdo ndërhyrje riparuese. Specialistët e terrenit konfirmuan se zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë nxjerrë jashtë funksioni totalisht strukturën ekzistuese, duke e kthyer në një rrezik potencial për qarkullimin dhe sigurinë publike.

Procesi i demontimit po kryhet me mjete të rënda dhe nën masa të rrepta sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit. Zona vijon të konsiderohet me risk të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e tokës raportohen ende aktive në disa segmente përreth.

Shembja e urës në Dragostunjë ka thelluar krizën e qarkullimit në këtë arterie të rëndësishme lidhëse, duke izoluar përkohësisht komunitete të tëra dhe duke devijuar trafikun në rrugë alternative rurale, të cilat nuk përballojnë fluksin e lartë të automjeteve.

Autoritetet pritet të hartojnë një projekt të ri për ndërtimin e një strukture të re, më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike të zonës, ndërsa banorët kërkojnë transparencë për afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë. Ndërkohë, në “Arrat e Gurrës” vijon një betejë me kohën dhe natyrën, për të rikthyer normalitetin në një nga segmentet më problematike të qarkut.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×