
Mbrëmje historike për Atalanta, që përmbys gjithçka dhe mposht 4-1 Borussia Dortmund në kthimin e play-off-it të UEFA Champions League, duke siguruar kualifikimin në 1/8-at e finales.
Skuadra e drejtuar nga Raffaele Palladino e nis furishëm sfidën dhe kalon në avantazh që në minutën e 5-të me Scamacca, pas një rrëmuje në zonën gjermane. Në fundin e pjesës së parë vjen edhe goli i dytë: goditje e Zappacostës, devijim fatal i Bensebainit dhe 2-0 për bergamaskët.
Në pjesën e dytë Atalanta kompleton përmbysjen e dyfishtë me Pasalic në minutën e 57-të, duke marrë epërsinë në total. Dortmund reagon dhe rihap ndeshjen në të 75-ën me Adeyemi, duke shtuar tensionin deri në sekondat e fundit.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt shtesave, episodi vendimtar: faull ndaj Krstovic në zonë, kontroll i gjatë i VAR-it dhe penallti për vendasit. Bensebaini ndëshkohet me të kuq, ndërsa Samardzic nga pika e bardhë nuk fal dhe në minutën e 98-të vulos 4-1 dhe kualifikimin.Kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti u aktivizua në këtë takim vetëm në minutën e 77.
Një përmbysje epike që dërgon Atalantën mes 16 më të mirave të Europës, ku do të përballet me njërën mes Arsenalit dhe Bayern Munichut. Një natë që hyn në historinë e klubit dhe të futbollit italian.
Për teknikun e bergamaskëve, Raffaelle Palladino, suksesi ndaj Dortmund ishte më e rëndësishmja për të dhe për ekipin që drejton: “Kjo ndeshje do të mbetet në histori jo vetëm për Atalantën dhe Bergamon, por edhe për futbollin italian. Falënderoj të gjithë lojtarët një nga një, ata në fushë, ata në stol dhe ata jashtë saj. Më pas falënderoj stafin tim, klubin dhe tifozët që na shtynë nga fillimi deri në fund; ishte diçka e jashtëzakonshme.”, përfundoi Palladino.
and then