
Inxhinieri Romeo Nazarko, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën e krijuar pas rrëshqitjeve të rrugëve që lidhin vendin me juglindjen, duke e cilësuar gjendjen alarmante dhe me pasoja të rënda për infrastrukturën kombëtare.
Sipas tij, mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme pas shembjes së segmenteve rrugore tregon mungesë mobilizimi institucional. “Kemi rreth një javë që ka ndodhur rrëshqitja e rrugëve dhe nuk ka asgjë. Nëse do të ishin mobilizuar të gjitha makineritë, situata do të ishte tjetër”, u shpreh Nazarko.
Ai e lidhi situatën me rëndësinë strategjike të Korridorit 8, duke ngritur shqetësimin se vonesat dhe mosreagimi mund të dëmtojnë një nga arteriet kryesore të vendit. Sipas tij, bëhet fjalë për një rrugë me rëndësi jo vetëm për udhëtarët, por edhe për transportin tregtar, pasi lidh dy pika doganore dhe ka bllokuar lëvizjen e mallrave.
Nazarko përmendi edhe çështjen e zhvendosjes së portit të Durrësit, duke ngritur pikëpyetje mbi koordinimin e projekteve infrastrukturore me zhvillimin e Korridorit 8.
Ai theksoi se qeveria duhet të përqendrojë gjithë vëmendjen për finalizimin e këtij korridori, duke paralajmëruar për pasoja në raport me Bashkimin Europian. “Nëse situata zvarritet, BE mund të tërheqë fondet e zhvillimit, ashtu si ndodhi me fondet IPARD pas zbulimit të abuzimeve”, deklaroi ai.
and then