
Inxhinieri Romeo Nazarko, i ftuar në studion e News24, ka folur mbi situatën alarmante të rrugëve në vend, pasi prej disa ditësh segmentet që lidhin vendin me juglindjen janë shembur, duke krijuar izolim të zonës dhe vështirësi të mëdha në qarkullim.
Sipas Nazarkos, fakti që Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) nuk ka një afat të qartë për nisjen dhe përfundimin e punimeve tregon mungesë kontrolli mbi situatën. “Nëse nuk dihet kur do hapet rruga për udhëtarët drejt juglindjes, do të thotë se nuk ka njohuri të mjaftueshme mbi strukturën e nëntokës në atë zonë”, u shpreh ai.
Inxhinieri theksoi se nëse do të ishte bërë një analizë e plotë e strukturës gjeologjike, mund të përllogaritej edhe koha e hapjes së një gjurme të re rruge, qoftë edhe pa asfaltim përkohësisht, për të garantuar lëvizjen.
Nazarko nënvizoi se para ndërtimit të çdo rruge duhet të zbatohet një protokoll i qartë teknik, që nis me studimin gjeologjik të terrenit dhe më pas me projektimin e veprave përkatëse si mure mbajtëse, tunele apo vepra arti të tjera. Sipas tij, problematikat aktuale tregojnë se këto procedura nuk janë ndjekur siç duhet.
Ai kritikoi edhe metodën e përdorur në disa segmente, ku sipas tij janë ndërtuar mure të thata me rrjeta metalike të mbushura me tokë. “Në zona me ujëra nëntokësore, ky mur bëhet i rëndë, ushtron presion mbi murin mbajtës dhe përfundon duke u rrëzuar”, shpjegoi Nazarko.
Sipas tij, një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me urën e shembur në rrugën Korçë–Kolonjë.
Një tjetër faktor që, sipas inxhinierit, ka ndikuar në përkeqësimin e situatës është edhe gërryerja e lumit Shkumbin për nxjerrjen e inerteve, çka mund të ketë dobësuar strukturën natyrore të terrenit në zonë.
Situata në akset drejt juglindjes vijon të mbetet problematike, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat të saktë për rikthimin e plotë të qarkullimit.
and then