“Shkarkimi i Ballukut, Rama kërkoi të shmangë arrestimin në zyrë”, Llabani: SPAK po raporton në Bruksel për hetimet!

Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë, duke u ndalur te vala e shkarkimeve në qeveri, mes tyre edhe largimi i Belinda Ballukut nga posti i zv/kryeministres dhe ministres.

Sipas Llabanit, rasti Balluku nuk mund të shihet si një aferë e izoluar, por si një test i drejtpërdrejtë për ekzekutivin dhe për funksionimin e drejtësisë së re.

“Çështja Balluku nuk është një aferë e izoluar, por është një test për ekzekutivin dhe drejtësinë e re. Rama me shkarkimin e Ballukut duket sikur nuk donte të ripërsëriste atë që ndodhi me Erion Veliajn, arrestimin në zyrë të stafit të tij. Do të ishte damkë e madhe për të para hapjes së negociatave në Bruksel”, u shpreh ajo.

Llabani theksoi se zhvillimet vijnë në një moment të ndjeshëm, teksa kreu i SPAK po raporton në Bruksel dhe, sipas saj, ndërkombëtarët kanë kërkuar të dëgjojnë më parë drejtësinë sesa politikën.

Sipas gazetares, SPAK ka dërguar informacion dhe të dhëna në lidhje me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, nivelin e aseteve të sekuestruara si pasojë e pastrimit të parave, si dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në çështje të ndryshme, mes tyre edhe rastin Balluku.

“Balluku u përmend nga drejtues të Parlamentit Europian, që do të thotë se ata janë të mirëinformuar për këtë çështje”, nënvizoi ajo.

Në analizën e saj, Llabani tha se kryeministri Edi Rama përballet me tre rreziqe të mëdha: institucionale, politike në raport me perceptimin publik dhe personale.

Sipas saj, situata mund të marrë një tjetër dimension nëse hetimet që kanë nisur ndaj Ballukut do të shtrihen më tej. “Nëse hetimet që kanë nisur drejt Ballukut do të shkojnë te Rama, atëherë kemi një situatë krejt tjetër politike dhe institucionale”, përfundoi Llabani.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×