U ekstradua nga Dubai/ Durim Bami kërkon transferimin nga ‘313’-a në burgun e Fushë Krujës, avokati: Është në rrezik për jetën

Avokati Ilir Murati i është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse me një kërkesë urgjente për transferimin e të paraburgosurit Durim Bami nga IEVP 313 në Tiranë drejt IEVP Fushë-Krujë, duke argumentuar se jeta dhe integriteti fizik i tij janë në rrezik real.

Kërkesa, e depozituar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thekson se Bami aktualisht mbahet në ambientet e IEVP “Jordan Misja” (Burgu 313), ku ndodhen edhe persona që, sipas organit të akuzës, kanë qenë të përfshirë në plane për eliminimin fizik të tij.

Shtetasi Durim Bami mbërriti në Shqipëri më 26 shkurt 2026 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u transferua menjëherë në paraburgimin e sigurisë së lartë në Tiranë. Ai përfaqësohet me prokurë të posaçme nga avokati Ilir Murati në procesin penal që po ndiqet nga SPAK.

Sipas dokumentit zyrtar, Bami akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.

Ndërkohë, në Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po zhvillohet një proces penal ndaj disa grupeve të strukturuara kriminale, mes tyre të njohura si “Martinaj”, “Avdylaj” dhe “Bajraj”.

Në kërkesën drejtuar autoriteteve, avokati Murati argumenton se prania e personave që dyshohet se kanë planifikuar vrasjen e Bamit në të njëjtin institucion përbën “rrezik real, serioz dhe aktual” për jetën e tij.

Sipas tij, administrata e burgjeve ka detyrim ligjor dhe konvencional për të garantuar sigurinë e çdo personi të privuar nga liria. Ai thekson se mosmarrja e masave parandaluese në një situatë të tillë do të përbënte shkelje të detyrimeve ligjore.

Avokati i referohet nenit 78 dhe 87 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, si dhe dispozitave të tjera përkatëse, duke theksuar se edhe personat e paraburgosur gëzojnë të njëjtat të drejta për siguri si të dënuarit.

Sipas deklarimeve të mbrojtjes, gjatë takimit të zhvilluar më 27 shkurt 2026 në ambientet e burgut, Bami ka shfaqur gjendje jo të mirë shëndetësore dhe stres të vazhdueshëm për shkak të situatës.

Për këto arsye, avokati kërkoi transferimin e menjëhershëm të Durim Bamit nga IEVP “Jordan Misja” në IEVP Fushë-Krujë dhe marrjen e masave të përkohshme emergjente të sigurisë deri në realizimin e transferimit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×