
Kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar me një postim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbrojtje të korrupsionit dhe sulme ndaj institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në mesazhin e tij, Berisha përshëndeti qytetarët që morën pjesë në protestën e opozitës, duke e cilësuar marshin si “fitore të re të kryengritjes paqësore” kundër, sipas tij, “regjimit të bazuar në krimin dhe drogën”.
Ai deklaroi se Shqipëria javën e kaluar ishte “në bankën e akuzës” për shkak të qeverisë, duke pretenduar se Rama ka sulmuar sistemin e akuzës nga frika e hetimeve. Sipas tij, kryeministri ka fshehur kritikat dhe denoncimet e bëra ndaj Shqipërisë në Bruksel, si në Parlamentin Europian ashtu edhe në raportet e zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian.
Berisha akuzoi gjithashtu Ramën për sulm ndaj Gjermanisë, të cilën e cilësoi si vend mik dhe donator të rëndësishëm për Shqipërinë, duke theksuar se kritikat e Berlinit lidhen me respektimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit.
Në vijim, ai hodhi akuza për korrupsion në projektet infrastrukturore, duke u ndalur te shembja e aksit kombëtar Dragostunjë–Përrenjas, për të cilin tha se është pasojë e ndërhyrjeve njerëzore dhe lejeve të dhëna në kundërshtim me ligjin për shfrytëzimin e shtratit të lumit Shkumbin.
Sipas Berishës, për shkak të kësaj situate, juglindja e vendit prej një jave është e izoluar, ndërsa kryeministri, sipas tij, po fajëson kushtet atmosferike dhe jo korrupsionin.
and then