
“Zonja e Vjetër” nuk vdes kurrë, këtë herë shmang humbjen në limite përballë Romës, por pika e marrë një kryeqytet i shërben pak ekipit të Spallettit, me Juven që e sheh veten jashtë zonës Champions pas javës së 27-të. Aktualisht ndodhen në vendin e 6-të në kuotën e 47 pikëve, katër pikë larg Romës së vendit të katërt dhe -1 nga Como. Roma i befasoi në minutën e 39-të ku Wesley realizoi një super gol me një goditje fantastike.
Pjesa e dytë ishte spektakolare, ku fillimisht Conceicao iu përgjigj Wesley-t në të njëjtën formë, me një gol edhe më të bukur duke barazuar shifrat në 1-1. Roma mori edhe një herë kontrollin e lojës duke realizuar dy gola të shpejtë. Fillimisht ishte Ndicka që rikthehu festën në stadium, me mbrojtësin nga Bregu i Fildishtë që realizoi golin e parë në Serie A. Të shtyrë dhe nga publiku, Roma nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 65-të, Malen u shkëput shpejt dhe me një finalizim plot klas dërgoi shifrat në 3-1. Spalletti hodhi në fushë edhe Edon Zhegrovën, por këtë herë historia ishte ndryshe, me sulmuesin dardan që ndryshoi totalisht rrjedhën e këtij takimi.
Në minutën e 78-të, Zhegrova futi një top në qendër, aty ku Boga me një goditje të saktë brenda në zonë ngushtoi shifrat në 3-2. Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 93-të, sërish nga një aksion i nisur nga këmbët e Zhegrovës, Juve gjeti golin e barazimit me Gatti-n duke shmangur humbjen në kryeqytet. Për Spallettin, mënyra se si reagoi ekipi i tij vlen më shumë se sa 1 pikë:
“Për fat, në skuadër kemi lojtarë si Yildiz apo Zhegrova, lojtarë që mund të krijojnë gjëra nga hiçi. Duhet të kesh gjithnjë besim, si në sport ashtu edhe në jetë. Reagimi vlen më shumë se sa 1 pikë. Unë jetoj për vendin e katërt. Skuadra është rritur në shumë aspekte, e sigurt është që do të zhvillojmë një sezon të madh deri në fund”, u shpreh Spalletti.
and then