Tabaku: Klima e investimeve në rënie, Shqipëria po humbet besimin e investitorëve të huaj

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku analizon situatën e investimeve të huaja në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit dhe rënien e besimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj vendit. Sipas Tabakut, “barra më e madhe për biznesin e ndershëm është vetë shteti”, duke theksuar se problemi nuk lidhet vetëm me rritjen e taksave, por me një sjellje selektive dhe diskriminuese ndaj sipërmarrjes së ndershme.

Ajo argumenton se ndryshimet e shpeshta të ligjeve, miratimi i akteve të veçanta për interesa të caktuara dhe favorizimi i sektorëve apo kompanive të përzgjedhura, kanë prishur rregullat e tregut dhe kanë dëmtuar konkurrencën e lirë.

“Sa më korrekt të jesh me shtetin, aq më shumë goditesh prej tij. Kjo është taksa e të ndershmëve”, shprehet Tabaku, duke akuzuar administratën tatimore, doganat dhe inspektoratet për presion të shtuar ndaj bizneseve transparente, ndërkohë që sipas saj, ekonomia është përqendruar në pak duar përmes tenderave, koncesioneve dhe favoreve të njëanshme. Në fokus të reagimit të saj është edhe raporti i investitorëve të huaj në Shqipëri, i cili – sipas Tabakut – ka ulur vlerësimin për klimën e biznesit nga 100 në 45 pikë, duke evidentuar problematikat që lidhen me pasigurinë ligjore dhe selektivitetin në ekonomi.

Deputetja demokrate paralajmëron se çdo investitor i huaj që vendos të mos vijë në Shqipëri apo të largohet prej saj, përkthehet në më pak vende pune, më shumë korrupsion dhe produkte me cilësi më të dobët për qytetarët. “Një investitor që largohet, shkon në rajon. Shqipëria humbet punësim, humbet konkurrencë, humbet zhvillim,” thekson ajo.

Tabaku bën thirrje për një ndryshim rrënjësor të qasjes ndaj ekonomisë, duke theksuar nevojën për ndërtimin e “një ekonomie për shumicën e shqiptarëve dhe jo për pak interesa”. Sipas saj, rikthimi i besimit të investitorëve të huaj dhe vendosja e rregullave të barabarta për të gjithë janë parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe për një ekonomi tregu funksionale. Në përfundim, ajo e cilëson situatën aktuale si një ekonomi të kapur, që shërben vetëm për pakicën, ndërsa kërkon angazhim të përditshëm për të rikthyer konkurrencën, transparencën dhe drejtësinë në klimën e biznesit në Shqipëri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×