
Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për situatën e sigurisë dhe sfidat strategjike të Shqipërisë në një intervistë për News24 Albania, ndërsa në Lindjen e Mesme vijon konflikti në Iran.
Lleshaj theksoi se një nga çështjet më të rëndësishme që duhet të marrë vëmendje nga politika shqiptare është furnizimi strategjik i vendit me energji dhe karburant. Sipas tij, kjo duhet të trajtohet si pjesë e strategjisë kombëtare.
“Çështja e furnizimit strategjik të Shqipërisë me energji duhet të merrte vëmendjen e niveleve të larta të politikës në Shqipëri. Furnizimi i vendit me karburant është çështje strategjike. Vendet normale në këtë fushë kanë partneritete strategjike”, u shpreh ai.
Sipas ish-ministrit, shteti shqiptar duhet të sigurojë marrëveshje të drejtpërdrejta me vende furnizuese të besueshme, në mënyrë që të shmangen vështirësitë në periudha krizash.
“Është çështje e strategjisë kombëtare që të kesh një marrëveshje shtetërore me një furnizues strategjik që nuk të lë në baltë në një ditë të caktuar. Kjo prek energjinë elektrike, ushqimet bazë dhe medikamentet sensitive,” tha Lleshaj, duke shtuar se partneritetet strategjike duhet të ndërtohen me shtete dhe jo me individë.
Ai u ndal edhe te siguria kibernetike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si të brishtë, veçanërisht pas sulmeve të mëparshme që vendi ka pësuar nga Iran.
“Siguria kibernetike është e brishtë në Shqipëri. Është sulmuar nga Irani dhe nuk besoj se e ka marrë plotësisht veten, sidomos pas tronditjeve që ka pësuar edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në nivel penal,” deklaroi ai.
Lleshaj theksoi se këto çështje duhet të trajtohen seriozisht për të shmangur pasoja për qytetarët dhe për të mos u fokusuar në diskutime spekulative.
Ai paralajmëroi gjithashtu për tentativa të vazhdueshme të ndikimit dhe dezinformimit nga elementë të lidhur me regjimin iranian, të cilët sipas tij përpiqen të ndikojnë opinionin publik përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
“Ka pasur tentativa ndër vite dhe janë kapur persona. Nuk kanë hequr dorë. Ashtu sikur nuk kanë hequr dorë nga agjentët e tyre që janë aktivë në media dhe rrjetet sociale për të manipuluar opinionin publik,” u shpreh Lleshaj.
Sipas tij, këto zhvillime duhet të diskutohen në Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë, i cili duhet të gjejë mënyra për mbrojtjen e opinionit publik nga ndikimet e jashtme.
Në fund, ish-ministri nënvizoi se konflikti në Iran nuk është një luftë që i përket Shqipërisë dhe se nuk duhet të përdoret për të krijuar përçarje mes shqiptarëve.
“Lufta në Iran nuk është lufta jonë, nuk jemi të përfshirë. Është e pafalshme të krijohen zjarre të vogla brenda nesh për të futur shqiptarët në këto fronte virtuale,” përfundoi ai.
and then