“Më nxitën disa miq myslimanë”, Rama promovon librin “Në Sofrën e Hënës”: Së shpejti do të ndërtojmë Muzeun e Islamit tek “Sarajet”

Kryeministri Edi Rama ka promovuar këtë të enjten librin e tij të ri “Në Sofrën e Hënës”, me prani të personaliteteve të fushave të ndryshme shoqërore në vend, dhe përfaqësues të fesë.

Në fjalën e tij, Rama tha se shtysa për shkrimin e këtij libri kanë qenë disa miq të tij myslimanë  që asgjërojnë.

“Unë doja që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste është një përmbledhje e mbrëmjeve të iftarit, që ka organizuar.

Ka qenë shtysa e disa miqve myslimanë që asgjërojnë, që të përmblidhja këto fjalë në këtë libër. Unë doja që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste. Sofra e Iftarit na bën bashkë përtej vijave që na ndajnë në bulevard.  Parathënien e ka shkruar ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe”,- tha Rama.

Në fjalën e tij gjatë promovimit, Rama u ndal edhe te perceptimi pa paragjykime i fesë së islamit, pasi paragjykimet sipas tij krijojnë probleme.

Ndërkohë që pranë tij ishte dhe profesori i Universitetit të Tybingenit, Besnik Sinani, me të cilin po bashkëpunohet për muzeun e Islamit, që do të ndërtohet tek “Sarajet” e Toptanëve pranë qendrës së Tiranës.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Shumë faleminderit!

Së pari, besoj që dhe vet përbërja e listës së të ftuarve e reflekton atë ndrojtjen time për ta nxjerrë në dritë këtë libër që në fakt është një përmbledhje e mbrëmjeve të iftarit të cilat kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin që t’i organizoj në funksionin që kam, duke çelur një traditë për sa i përket funksionit tim që sipas meje shkon sipas meje të paktën, përtej sofrës së atyre që agjërojnë, pasi për mua dhe gjithmonë e me shumë dhe si rezultat i kësaj eksperience, sofra e iftarit është përtej agjëruesve dhe është në një farë mënyre një moment i bukur për të bashkuar njerëz që vijnë jo vetëm nga rrugë të ndryshme të jetës, por dhe nga sfonde të ndryshme të besimeve të tyre.

Ka qenë shtysa të disa miqve mysliman që agjërojnë që t’i përmblidhja këto fjalë në këtë libër. Dhe e thashë dhe më parë, sot dëshirova që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste. Arlinda e kishte gati librin përpara Panairit të Librit, por nuk ia dhashë dritën jeshile për ta nxjerrë në panair sepse vetvetiu do krijohej një tërheqje e pa merituar për gjithë ata autorë të tjerë që e kanë panairin një moment të rëndësishëm. Për mua, fjalë gdhendësi i fundit i mbetur në bulevardin e Tiranës është këtu sot me ne Aurel Plasari, dëshmia e faktit që sofra e iftarit na bën bashkë përtej vijave që na ndajnë në bulevard.

Ndërkohë nuk dua të flas më gjatë. Kam shumë respekt dhe jam mirënjohës për ata miq që i kam rrotull që e praktikojnë këtë fe, por dhe i jam mirënjohës eksperiencës së këtyre iftareve që më ka pasuruar me thënë të drejtën dhe më ka nxitur që të hyj pak më thellë në qasjen, në fjalën, në kulturën e islamit. Dhe me thënë të drejtën besoj që përtej atij sloganit që ne e përsërisim shpesh të bashkëjetesës fetare qëndron në fakt një thesar kulturash që vijnë nga feja këtu tek ne dhe që meritojnë të kenë përkushtimin, përkujdesjen, admirimin, respektin tonë edhe për arsye se falë gjithë këtyre që thashë mund të ndihmohen njerëzit që ta shohin fenë përtej paragjykimeve dhe stereotipave që janë gjëja më e rrezikshme sidomos kur flitet për islamin.

Ka qenë kënaqësi dhe me thënë të drejtën jam ndjerë i përkëdhelur nga fati i detyrës që mu dha mundësia të njoh profesorin, Besnikun. Besniku është një njeri që sigurisht e ndjek fenë islame, por në të njëjtën kohë e ligjëron në Universitetin e Tübingen. Jemi njohur përmes punës së një fondacioni shumë të bukur që është themeluar në Shqipëri që quhet Konak. Janë një grup që bëjnë përpjekje për të koleksionuar artefakte të kulturës islame dhe bashkërisht kemi dhe një projekt shumë të bukur. Është ideja e tyre, por projekti është i përbashkët për të ngritur edhe muzeun e artit islam në Shqipëri. Ne nuk e kemi një muze të tillë për fat të keq. Të gjitha vendet që kanë kulturë islame në organizmin e tyre kanë një muze të tillë, por dhe vende që nuk kanë një kulturë të mirëfilltë islame bashkëkohore, por mund t’i kenë në të shkuarën rrënje të kulturës islame, kanë muze të tillë dhe ne jemi duke punuar për projektin dhe do të jetë shumë bukur sepse do të ngrihet tek ish sarajet e famshme të Toptanëve, pranë Kalasë së Tiranës dhe ngjitur me Parlamentin dhe njëkohësisht po në atë oaz do të ngrohet dhe muzeu tjetër i quajtur Muzeu Besa që do t’i bëjë jehonë marrëdhënies sonë me hebrenjtë dhe që do të sjellë në jetën tonë kulturën bashkëkohore hebraike. Kështu që në njëfarë mënyre plotësohet një mozaik.

Për tu kthyer tek libri unë i jam shumë mirënjohës profesorit që pranoi ta shkruante një pas thënie. Parathënien e librit e ka shkruar një ndër përfaqësuesit e kurorës së Emirateve të Bashkuara, ministri i Jashtëm i Emirateve, sheiku Abdullah bin Zayed dhe pasthënien e ka shkruar profesori. Kështu që duke qenë se ka qenë i detyruar ta kalojë gjithë koleksionin e fjalëve të përmbledhura po ja kaloj fjalën profesorit.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit profesor! Unë doja ta plotësoja me një element personal që është i lidhur me pikërisht sekuencat e këtyre iftareve vit pas viti, që siç e thashë më përpara nga një anë më kanë nxitur që të futem pak më thellë në leximin dhe në kuptimin e islamit, natyrisht duke iu referuar librit kryesor dhe deri diku historisë së islamit në Shqipëri, por nga ana tjetër më kanë nxitur që ta bëj këtë edhe si reagim ndaj reagimit steriotipik të gjithë atyre që e barazojnë me shumë shpejtësi qoftë islamin qoftë ritet e veta përfshirë dhe iftarin me diçka që na e ulka kulturën tonë, se ne jemi europianë a ku di unë. Ndërkohë që në rrënjët e Europës ka sigurisht edhe një kontribut të rëndësishëm të kulturës islame, por ajo që është kryesorja sot mendoj unë për njeriun në kushtet kur sa më shumë shtrihet njohja dhe sa më shumë shtrihen krahët e zhvillimit deri në pika të paimagjinueshme deri para pak kohe dhe çdo ditë e më shumë zhvillimi bëhet shumë i shpejtë, është nevoja për të besuar.

Kam parë para jo shumë kohësh një anketim të bërë nivel global lidhur me besimin në Zot dhe ajo që ishte surpriza e organizatorëve të atij anketimi ishte që sa më shumë është rritur njohja, aq më shumë është rritur nevoja për besimin në Zot dhe në dekadën e fundit, besimi në Zot në rang global ka njohur një rritje anormale në krahasim me trendin e zakonshëm që ka pasur pas një ulje shumë të fortë në vitet ’60.

Përtej besimit të drejtpërdrejtë unë mendoj që feja në tërësi dhe islami në veçanti është burim i një urtësie të madhe kulturore, një urtësi që lidhet me kufijtë e njeriut, me nevojën që njeriu të jetë i vetëdijshëm se ku janë kufijtë e tij dhe pastaj të lidhur këta kufij me dinjitetin e njeriut. Dhe në gjithë procesin dhe praktikën e islamit përfshirë dhe agjërimin ka brenda një urtësi që mëson dhe që edukon. Para ca kohësh kam pasur fatin të njoh një mjek shumë të famshëm mysliman, praktikant që i ndiqte të gjitha ritet dhe më ka shpjeguar një për një ritualet të lidhura me efektet në shëndet, jo me pjesën e religjionit, por me shëndetin, që të gjitha. Falja nga perëndimi, ulja në gjunjë, të gjitha, të gjitha, natyrisht agjërimi tani është bërë trend global, agjërimi për arsye të shëndetit dhe për arsye të mbingarkesës që është krijuar me kolesterol në botën e zhvilluar por flas për gjithë ritualet e tjera. Pra ka një urtësi të madhe kulturore në islam që është vlerë e shtuar besoj unë për këdo që i referohet përtej besimin pastaj që është një çështje në këndvështrimin tim krejt personale. Për sa i përket narratives që tha profesori unë nuk e kam menduar thellë në këtë aspekt por besoj që është shumë e rëndësishme që ne gjithmonë të mos harrojmë që kjo harmonia që themi, ose bashkëjetesa, ose vëllazëria fetare siç e pagëzoi Papa Francesku është diçka që duhet pasur parasysh dhe duhet kultivuar. Tani a është e vërtete që ne kemi arritur të jemi rehat me njëri-tjetrin, kjo është një pikëpyetje, por unë do isha shumë i lumtur në qoftë se ne e kemi arritur këtë gjë.

Në fund fare besoj që tradita e iftarit përtej ritualit fetar është edukatë sociale, është mësim social, është ushtrim social sepse është unike. Ne nuk na mungojnë tavolinat, ne edhe diskutimet më të zjarrta për gjendjen jo të mirë ekonomike i bëjmë duke ngrenë pula edhe në abondancë, por ne nuk e kemi dot dhe njerëzia nuk e ka dot këtë oportunitet që të jep tradita e iftarit ku je në tavolinë, ndan bukën, ndan momentin rreth tavolinës, por nuk je në fakt aty i prirur të shijosh ushqimin, por je në radhë të parë i prirur të shijosh faktin që je bashkë më të tjerët. Dhe natyrisht unë jam i bindur që kjo për ata që agjërojnë është më e fortë edhe më e shëndetshme po themi për shpirtin. Unë e kam thënë qysh në fillim në iftarin e parë, ftova disa njerëz që nuk ishin mësuar ndonjëherë, disa erdhën, disa nuk erdhën. Njëri më çoi një mesazh shumë të egër kundër faktit që unë po organizoja një iftar në Kryeministri se Kryeministria është laike e ku di unë etj, ma shpalli ateizmin fuqishëm. Unë besoj që iftari është dhe për ateistët. Sofra është dhe për ateistët. Nuk kanë pse i ikin ftesës thjesht dhe vetëm për faktin që nuk janë mysliman apo që nuk besojnë, përkundrazi nëse ata nuk besojnë tek Allahu, mbase Allahu beson tek ata, që mund të ketë një ditë dhe për ata ose Zoti ta quajmë tani, se mua kanë qejf të mi ngatërrojnë këto punët e fesë ndërkohë që unë i kam shumë të thjeshta, shumë të qarta, jam i bindur që dhe kur të shohin ndonjë gjë nga kjo shumëkush do thotë po pse s’u ftova unë ndërkohë që iftarin e madh e kemi në ditët në vijim siç e kemi bërë çdo vit sepse nuk është e lehtë të futesh në këtë territor dhe aq më tepër të pretendosh ta mbështjellësh në një libër.

Shumë faleminderit dhe një herë dhe profesor, faleminderit, respekte. Të gjithëve faleminderit!

 

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×