
Tiranë, 06/03/2026 – Tirana International Airport (TIA), në bashkëpunim me partnerin e tij Lagardère Travel Retail Albania, organizoi të premten për herë të parë një Ditë të Hapur Rekrutimi, duke mbledhur një numër të madh të rinjsh shqiptarë të interesuar për mundësi punësimi në sektorë të ndryshëm të aeroportit.
Aktiviteti u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe interes i lartë, qindra kandidatë që shprehen interesin u prezantuan për të eksploruar mundësitë e karrierës në fusha si operacionet e aviacionit, shërbimi ndaj klientit dhe sektori i travel retail. Organizimi i kësaj dite synoi të krijojë një urë të drejtpërdrejtë mes të rinjve që kërkojnë të ndërtojnë karrierën e tyre dhe një prej sektorëve më dinamikë të ekonomisë në vend.

Ky aktivitet, i organizuar për herë të parë në këtë format, ofroi për të ofruar një platformë të hapur dhe transparente ku kandidatët të informoheshin mbi proceset e rekrutimit, mundësitë e zhvillimit profesional dhe kulturën e punës në aeroport, duke theksuar angazhimin e TIA-s për mundësi të barabarta punësimi dhe zhvillimi për të gjithë kandidatët e interesuar.
Pjesëmarrësit ndoqën prezantimet e mbajtura nga Sokol Kreçi, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, dhe Stanislav Beránek, CEO i Lagardère Travel Retail. Në prezantimet e tyre u theksua zhvillimi i shpejtë i aeroportit gjatë viteve të fundit, zgjerimi i infrastrukturës dhe rritja e mundësive profesionale që vijnë si rezultat i rritjes së trafikut të pasagjerëve dhe kapacitetit operacional.

Tirana International Airport, aeroporti më i madh në Shqipëri dhe pjesë e Kastrati Group, ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të numrit të pasagjerëve dhe të aktivitetit operacional. Për të përballuar këtë zhvillim, aeroporti po realizon investime të rëndësishme në zgjerimin e kapaciteteve të terminalit, përmirësimin e infrastrukturës operacionale si dhe në digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve aeroportuale.
Kjo rritje reflektohet edhe në zgjerimin e ekipit të punonjësve. Me rritjen e operacioneve, numri i punonjësve pritet të rritet me 17%, nga 1,200 në vitin 2025 në rreth 1,400 në vitin 2026.

Sokol Kreçi, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u shpreh:
“Rritja e vazhdueshme e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës krijon mundësi të reja për profesionistë që dëshirojnë të ndërtojnë një karrierë në industrinë e aviacionit. Ndërsa ne vazhdojmë të zgjerojmë kapacitetet tona infrastrukturore, të rrisim volumin e pasagjerëve dhe të zhvillojmë shërbime të reja, po forcojmë gjithashtu ekipin tonë me profesionistë të talentuar që ndajnë të njëjtin angazhim për ekselencë në shërbim. Nisma si kjo Ditë Rekrutimi na jep mundësinë të lidhemi drejtpërdrejt me kandidatë të motivuar dhe t’u prezantojmë atyre mundësitë e shumta të karrierës brenda komunitetit të aeroportit.”
Ndërkohë, Stanislav Beránek, CEO i Lagardère Travel Retail, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një force pune të fortë ndërsa aeroporti vijon të rritet:
“Lagardère Travel Retail është krenare që është partnere e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në mbështetje të rritjes së tij dhe në krijimin e një mjedisi të gjallë tregtar për udhëtarët. Ndërsa numri i pasagjerëve vazhdon të rritet, nevoja për profesionistë të aftë dhe të apasionuar bëhet edhe më e rëndësishme. Dita e sotme e Rekrutimit na jep mundësinë të takojmë kolegë të mundshëm të së ardhmes dhe t’i prezantojmë me botën dinamike të travel retail. Si pjesë e një rrjeti global të pranishëm në më shumë se 40 vende dhe me mijëra dyqane në nyje të mëdha udhëtimi, ne jemi krenarë që kontribuojmë në përmirësimin e përvojës së pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës përmes koncepteve tona duty free dhe retail.”

Gjatë gjithë ditës, ekipet e Burimeve Njerëzore nga Tirana International Airport dhe Lagardère Travel Retail ishin të pranishëm për të ofruar informacione të detajuara për pjesëmarrësit mbi pozicionet e hapura, procesin e aplikimit dhe mundësitë e zhvillimit profesional.
Pjesëmarrja dhe interesi i lartë e të rinjve për këtë aktivitet konfirmuan potencialin dhe dëshirën e tyre për t’u përfshirë në industrinë e aviacionit dhe të shërbimeve aeroportuale. Kjo Ditë Rekrutimi pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për të mbështetur punësimin, për të krijuar mundësi të barabarta profesionale dhe për të ndërtuar një ekip profesionistësh që do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të aeroportit dhe në përmirësimin e përvojës së pasagjerëve.
and then