Drejtori i EBU: Duhet reformim dhe modernizim i RTSH-së, Qeveria ta mbështesë financiarisht. Vlerësime për punën e Eni Vasilit!

Drejtori i European Broadcasting Union (EBU), rrjeti i transmetuesve europianë publikë, Noel Curran thekson nevojën për reformim dhe modernizim të Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), duke nënvizuar rëndësinë e rolit të televizionit publik në informimin e qytetarëve.

Në një intervistë për transmetuesin publik, ai theksoi se për të arritur këtë objektiv është e domosdoshme edhe mbështetja financiare nga qeveria, në mënyrë që RTSH të përmbushë standardet e mediave publike evropiane. Drejtori i EBU vlerësoi gjithashtu punën e drejtoreshës së RTSH, Eni Vasili, për përpjekjet në drejtim të reformimit dhe modernizimit të institucionit.

Intervista e plotë

Mirë se erdhët në këtë intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të EBU, rrjetit të transmetuesve europianë publikë, ku bën pjesë dhe Radio Televizioni shqiptar, Noel Curran, një irlandez, një ish-producent, gazetar gjithashtu ne televizionin publik të Irlandës, drejtor i Përgjithshëm në këtë institucion. E njeh mirë gjithashtu fushën editoriale të menaxhimit të lajmeve dhe anën komerciale të televizionit dhe vjen në Shqipëri për t’i dhënë një ndihmë të konsiderueshme transmetuesit publik shqiptar në këtë fazë të rëndësishme të reformimit edhe me mbështetjen e EBU-së.

Gazetarja: Noel Curran, mirë se erdhët në Shqipëri, mirë se erdhët në transmetuesin publik shqiptar. Është një kënaqësi për t’ju intervistuar!

Drejtori i Përgjithshëm i EBU Noel Curran: Është kënaqësi që jam këtu.

Faleminderit që jeni sot me ne. Cili ishte qëllimi kryesor i vizitës suaj sot në Shqipëri?

– Qëllimi kryesor ishte para së gjithash të tregoj mbështetje për RTSH-në, e cila aktualisht po shqyrton një proces transformimi. Ju jeni mjaft të rëndësishëm mendoj për shoqërinë shqiptare. Një media publike e pavarur me shërbim të pavarur është pjesë jetësore për demokracinë kështu që jam këtu për të treguar mbështetjen për atë që po bëni.

Kam ardhur për të mbështetur atë që po bëni, analizimin e asaj që po ndodh, mënyrën sesi po i qaseni të ardhmes. Isha gjithashtu këtu për të takuar Këshillin tuaj Drejtues, drejtuesit tuaj, sikurse pata një takim edhe me Kryeministrin tuaj zotin Rama, takim shumë pozitiv. Një shkëmbim i hapur dhe i ndershëm idesh me të në lidhje me rëndësinë e shërbimit të medias publike dhe rreth së ardhmes së shërbimit të medias publike. Kështu që ka qenë një ditë shumë e ngjeshur!

Pse është e rëndësishme sot të flasim për median publike?

– Media publike është shumë e rëndësishme sot sepse gjithnjë e më shumë mediat po bëhen gjithnjë e më të polarizuara. Shpesh kemi një qëndrim në një anë dhe një qëndrim tjetër në anën tjetër. Ndërkohë që kemi një ndikim te madh ndërkombëtar, kryesisht amerikan, përmes platformave të mediave sociale. Në këtë kontekst kemi vërtet shumë nevojë të ruajmë kulturat kombëtare dhe t’u ofrojmë qytetarëve lajme të besueshme dhe të pavarura.

Edhe mediat sociale janë të rëndësishme nuk po them të kundërtën, por ka nevojë për diçka ndryshe për t’ia dhënë popullatës përkatëse, veçanërisht në këto kohë, përndryshe, rrezikojmë të përballemi me të njëjtën kulturë, të njëjtën qasje me keq-informim, me dezinformim apo informacion të pasaktë, lajme të cilave nuk mund t’i besosh. Kështu që, për mua, mbase më tepër së kurrë, media e shërbimit publik është tani vërtetë e rëndësishme.

Siç thatë, keni ardhur në Shqipëri dhe keni pasur shumë takime të programuara, me drejtoreshën e Përgjithshme, zonjën Vasili, me Këshillin drejtues, me kryeministrin, por së pari, cili është mesazhi që sollët për drejtuesit e RTSH-së?

– Mesazhi i parë që iu solla të gjithëve ishte se ne e mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme. Besojmë se ajo po bën një punë shumë të mirë dhe po vendos një drejtim të ri për institucionin, dhe ne duam ta mbështesim në këtë proces.

Mesazhi tjetër që sollëm ishte se jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë rrugëtim. Jemi të këtu për t’ju ndihmuar në argumentimin e rolit tuaj, si në nivel kombëtar ashtu edhe në Bruksel, pasi marrëdhënia juaj me Brukselin dhe me Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme.

Dhe së treti, jemi këtu t’ju ndihmojmë në hartimin e procesit të transformimit dhe në çdo mënyrë të mundshme. Pra mesazhi ynë ishte qartësisht një mesazh mbështetjeje për drejtimin tuaj, për të mbështetur Këshillin tuaj dhe isha i lumtur të shikoja që ka një ndërgjegjësim të nevojës për ndryshim dhe zhvillim dhe që ka një linjëzim të mirë midis menaxhmentit dhe Këshillit në lidhje me këtë, si edhe nga pikëpamja politike, duhet të them.

A keni sjellë ndonjë dokument që mund të ndihmojë në këtë reformë?

– Po. Ne kemi përgatitur një raport ku analizohen pikat e forta dhe dobësitë e RTSH-së dhe ku paraqiten disa drejtime të mundshme për të ardhmen.

Ky është fillimi i një procesi transformimi. Raporti identifikon fushat që duhet të shqyrtohen më nga afër dhe për t’ju ndihmuar për hapat e rrugës në të ardhmen, pra është një lloj vlerësimi dhe sugjerime fillestare për mënyrën se si mund të ecet përpara.

Ju u takuat edhe me Kryeministrin, gjatë takimeve te planifikuara, çfarë i thatë? çfarë mesazhi morët prej tij?

– Takimi me Kryeministrin ishte shumë pozitiv. Ai ishte shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë siç është përherë. E kam takuar edhe më parë. Shumë i drejtpërdrejtë në pikëpamjet e tij, gjë që unë e respektoj dhe e mirëpres. Kështu unë mendoj se mesazhi im për të ishte se RTSH është e gatshme të transformohet, RTSH po kërkon të transformohet dhe se EBU mbështet drejtimin e institucionit në këtë proces.

Mesazhi tjetër është se media shërbimit publik është e rëndësishme, njihet nga Bashkimi Europian si një pjesë jetike e demokracisë. Kështu që lënia e medias së shërbimit publik në rënie është një perceptim shumë negativ për një vend dhe që nuk mirëpritet nga jashtë.

Një tjetër çështje e rëndësishme, si pjesë e këtij rrugëtimi përpara është financimi. Nga pikëpamja teknologjike, RTSH është ende larg standardeve që kërkohen sot dhe modernizimi kërkon investime.

Ne nuk kërkojmë investime pa një plan të qartë. Menaxhmenti duhet të hartojë një plan për të ardhmen, por ky plan kërkon mbështetje nga qeveria, kërkon përkrahje nga pikëpamja e mbështetjes, si dhe nga çështjet e financimit. Ju keni një nga tarifat me të ulëta në Europë, si dhe iu nevojiten investime të mëdha në teknologji. Për këtë arsye, nëse ka një plan, qeveria duhet të mbështesë RTSH-në në zbatimin e këtij plani.

Cila është sipas jush sfida kryesore me të cilën përballet sot RTSH? Ju përmendët shumë çështje me të cilat do të hasemi në të ardhmen. Por cila është sfida kryesore që kemi tani, menaxhmenti, teknologjia, të qenit më pranë audiencës sonë, qasja ndaj teknologjisë së informacionit… Cila është sipas jush më e vështira?

– Është një pyetje shumë interesante. Sfida që ju hasni është sfida që çdo media publike has dhe që është se duhet të ndryshoni.

Shumë njerëz thonë se janë të hapur ndaj ndryshimit, por kur ndryshimi ndodh realisht, shpesh has qëndresë. Megjithatë, nëse nuk ndryshon, një organizatë përballet me vështirësi. Kështu që unë mendoj se kjo është sfida kryesore.

Duhet ndryshim në qasjen ndaj teknologjisë. Keni shumë kanale duke marrë parasysh popullatën që dobëson ndikimin tuaj. Pra ka një gamë gjërash të ndryshme si kjo që unë besoj se duhet t’i shikoni nga afër, në atë që po bëni, dhe pastaj është çështja e sigurimit të mbështetjes, mbështetjes nga menaxhmenti, nga Këshilli por gjithashtu edhe mbështetje politike, në kuptimin që politikanët t’ju përkrahin në rrugëtimin tuaj përpara dhe kjo nuk duhet të jetë vetëm me fjalë. Fjalët janë të rëndësishme por për teknologjinë duhet investim. Për t’u modernizuar, nevojitet investim. Si mundet RTSH të sigurojë këtë investim nëse ka vullnetin, siç mendoj edhe unë që e ka, për të bërë ndryshimet dhe për të bërë përpara!

Pra ka nevojë për shumë mbështetje nga pikëpamja politike, por edhe mbështetje nga EBU në këtë rast për të na ndihmuar qe të ndërtojmë disa mënyra të reja për t’ju qasur audiencës tone, edhe në forma me moderne gjithashtu! Megjithatë në ditët e sotme, mediat publike po përballen me mediat komerciale, dhe rrjetet sociale. A mendoni se ka një hendek të madh, të cilin ne nuk mund ta kapërcejmë në të ardhmen?

– Jo, unë mendoj që të gjithë janë duke u përballur me këto lloj sfidash konkurrence, në të gjithë Europën. Shqipëria ka një treg të veçantë me një sektor të fortë komercial, por këto (sfida) nuk janë të pamundura dhe ne kemi nevojë për media të shërbimit publik. Është diçka për të cilën ia vlen të luftohet. Për mua çështja është, nëse institucioni dëshiron të ndryshojë. Dhe unë besoj se po. A e kupton personeli juaj se duhet të ndryshojë, përndryshe do të jetë në vështirësi serioze në vitet e ardhshme. Shpresoj që ata e kuptojnë këtë. Nga pikëpamja politike, ata janë të hapur për ndryshim dhe unë e pashë këtë drejtpërdrejt sot nga Kryeministri juaj. Pastaj është çështja për të vënë në jetë një plan, për të implementuar planin, për të komunikuar planin, marrja e përkrahjes së tyre dhe që plani të jetë i lidhur me qeverinë, për t’u përkrahur nga qeveria nga pikëpamja e investimit të nevojshëm.

Ne transmetojmë çdo ditë, unë vetë kam një përvojë shumë të gjatë në media dhe në fushën e raportimit gjithashtu. Mendoj se ne përpiqemi çdo ditë për të fituar më shumë audiencë, për ta zgjeruar atë. Si e arrin sot një media publike një audiencë më të gjerë (?) sepse e thamë që përballet me rrjetet sociale, me teknologjinë moderne edhe duke e parë në rastin e vendeve të vogla si Shqipëria?

– Për mendimin tim, kapja e audiencës ka të bëjë e gjitha me përmbajtjen, duhet përmbajtja e duhur dhe më pas ka të bëjë se ku e merr audienca këtë përmbajtje dhe forma sesi e merr. Pra ka të bëjë me cilësinë e përmbajtjes, me gamën e përmbajtjes. Kur është fjala për lajmet, është përmbajtja dhe pavarësia e lajmeve. Dhe më pas ka të bëjë me ju, sesi e përdorni ju botën dixhitale, si të keni përmbajtje të ndryshme për audienca të ndryshme, si i qasen ata përmbajtjes, qoftë në telefon, qoftë në aparat televiziv, cilado qoftë forma e marrjes/qasjes së përmbajtjes. Kështu që për mua forca shtytëse është së pari përmbajtja. Pa përmbajtje të mirë, edhe nëse ke sistemin më të mirë të shpërndarjes në botë, kjo nuk të çon askund. Kështu që, për mua është përmbajtja dhe sa e kënaqshme është kjo përmbajtje për audienca të ndryshme, në mënyrat e ndryshme që ata i qasen përmbajtjes, por edhe në llojet e ndryshme të përmbajtjes.

Dhe kur ju flisni për përmbajtjen nuk keni parasysh vetëm lajmet por edhe për programet…

– Po plotësisht.

Për programet për grupmosha të ndryshme, apo jo?

– Ka të bëjë më tepër se me lajmet. Media e shërbimit publik ka të bëjë me programin tuaj që merr këtë reagim vërtet shumë të mirë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, që është diçka shumë e mirë. Ka të bëjë me sportet. Është një gamë e gjerë. Ka të bëjë gjithashtu me programet që ju blini, sepse nuk mund t’i bëni të gjitha vetë. Kështu që juve iu duhet të blini disa programe, çka që është shumë e natyrshme. Pra, ka të bëjë me përmbajtjen, cila përmbajtje kënaq audiencën përkatëse, dhe në ç’formë e marrin këtë përmbajtje audiencat tuaja, duke qenë i pranishëm në çdo lloj forme për audiencat tuaja. Ky është çelësi!

Keni ndonjë mesazh për njerëzit qe punojnë në transmetuesin publik? Sepse kjo është shumë e rëndësishme për ne!

– Mendoj se mesazhi që do të kisha për të punësuarit, pasi dhe vetë kam qenë gazetar, dhe kam ardhur nga një nivel vërtet i ulët në një transmetues publik dhe kam kryer detyra të shumta deri tek drejtori i përgjithshëm, kështu që i kuptoj detyrat e ndryshme që kryhen. Ajo që do të thosha unë është që ajo që ju bëni është e rëndësishme, është e rëndësishme për shoqërinë shqiptare. Isha në arkivin tuaj. Për mua, arkiva juaj është më tepër sesa televizion, ka të bëjë me historinë dhe kulturën shqiptare. Pra ajo që ju bëni është e rëndësishme. Do t’ju thosha të punësuarve që nevojitet të jeni të hapur ndaj ndryshimit. Ju nevojitet të kuptoni se gjerat mund të jenë mirë tani, por gjerat po lëvizin shumë shpejt, do ta gjeni veten në krizë, nëse nuk ndryshoni. Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme, po aq sa të kuptoni arsyen se pse po e bëni këtë (ndryshim). Ne punojmë në median e shërbimit publik, në pjesën më të madhe, sepse besojmë në të. Por, edhe nëse mund të keni besimin më të mirë në botë, nëse nuk jeni të përgatitur për ndryshim, do të jeni në vështirësi sot, dhe kjo vlen për secilin. Pra ajo që do t’u thosha të punësuarve, është që ne ju mbështesim. Ajo që ju bëni është e rëndësishme. Ju lutem të kuptoni nevojën për ndryshim. Kjo vlen kudo, jo vetëm në RTSH, por për transmetuesit në të gjithë Europën.

– Noel Këran, faleminderit shumë për intervistën dhe kohën që kaluat me ne!

– Faleminderit!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×