
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te shkarkimi nga detyra e ministres së Jashtme Elisa Spiropali.
Sipas Këlliçit, largimi i Spiropalit nga posti erdhi në një moment kur ajo kishte një mandat shumë të shkurtër në krye të diplomacisë shqiptare dhe pa ndonjë skandal publik gjatë kohës që mbajti detyrën. Këlliçi sqaroi edhe deklaratën që bëri një ditë më parë në drejtim të kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke aluduar se edhe ai është pjesë e “anglishtfolësve” në PS.
“Peleshi ka qenë i radikalizuar në ekstrem dje në Parlament për të mos pasur fatin e Spiropalit, e cila ka pasur jetëgjatësinë më të shkurtër në krye të punëve të jashtme. Nuk di të ketë pasur ndonjë skandal apo problem madhor në këto muaj që ka qenë”, u shpreh ai.
Këlliçi shtoi se brenda Partisë Socialiste ekzistojnë grupe të ndryshme që nuk janë gjithmonë në një linjë me vendimmarrjen e kryeministrit Edi Rama.
“Të themi që gjithë socialistët janë njësoj nuk është e vërtetë. Ka njerëz që nuk janë dakord me vendimmarrjen e Ramës. Do të mjaftohem vetëm me Niko Peleshin dhe Elisa Spiropalin si pjesë e grupit të ‘anglishtfolësve’, sepse këto janë fakte publike”, deklaroi ai.
Sipas Këlliçit, ky grup është më i gjerë dhe përfshin persona që, sipas tij, kanë qëndrime të ndryshme nga linja e kryeministrit, ndërsa në krahun tjetër ai përmendi se ish-zv/kryeministrja Balluku i përket grupit të “shqipfolësve” që kanë të bëjnë me “të fortë dhe persona me precedentë”.
Deputeti demokrat aludoi se shkarkimi mund të lidhet edhe me kontaktet ndërkombëtare të Spiropalit, duke përmendur aksesin e saj në qarqe vendimmarrëse në Gjermani.
“Logjika e thjeshtë të çon te fakti se për shkak të aksesit që iu dha, edhe në Gjermani, në një prej klubeve më me influencë si China Club në Berlin, ku janë disa fuqi vendimmarrëse të rëndësishme dhe ku Edi Rama nuk shkel më prej kohësh, kishte hyrë Elisa Spiropali”, tha Këlliçi.
Ai përmendi gjithashtu qëndrimet e disa zyrtarëve gjermanë lidhur me hetimet për korrupsion në Shqipëri, duke përfshirë deklaratat e eurodeputetit David McAllister në Tiranë për çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Për këmbënguljen e Gjermanisë për hetimin e çështjeve korruptive dhe deklaratat e McAllister për rastin Balluku, mesazhi nga Gjermania është i qartë: ata janë seriozë në luftën ndaj korrupsionit”, u shpreh ai.
and then