Organizuan dhe financuan atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoj dhe “Rrumit”, SPAK zbulon se si identifikoi Dervishajn dhe Meçen në Sky ECC

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur për herë të parë në gjykatë detaje mbi mënyrën se si janë identifikuar personat që qëndrojnë pas kodeve të përdorura në platformën e enkriptuar Sky ECC, në procesin ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes. Të dy akuzohen për përfshirje në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos. Gazetarja Klodiana Lala raporton për se gjatë seancës gjyqësore, prokurorët shpjeguan se identifikimi i personave është bërë përmes analizës së komunikimeve, fotografive dhe të dhënave personale të shkëmbyera në bisedat e aplikacionit.

Sipas SPAK, në disa raste përdoruesit e Sky ECC kanë përdorur pseudonime që lidhen me emrat e tyre, ndërsa në raste të tjera identifikimi është bërë përmes të dhënave personale që ata kanë dërguar vetë në komunikime. Në rastin e Plaurent Dervishajt, hetuesit kanë gjetur një foto të dërguar në biseda ku kërkohej mbyllja e një adrese emaili. Në të njëjtat komunikime janë përfshirë edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre. Pas verifikimeve të kryera, këto informacione kanë rezultuar se i përkasin Dervishajt.

Në mënyrë të ngjashme është bërë edhe identifikimi i Julian Meçes, pasi në disa komunikime janë shpërndarë fotografi dhe informacione që kanë ndihmuar hetuesit të lidhin profilin e përdorur në aplikacion me identitetin e tij. Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se në disa raste personat janë vetëidentifikuar gjatë bisedave, duke dhënë të dhëna që çonin drejtpërdrejt te identiteti i tyre.

Një rast tjetër identifikimi është bërë përmes numrit të telefonit të avokatit të Redjan Rrajës. Në komunikime është dërguar një foto ku shfaqej numri i telefonit dhe pas verifikimeve hetuesit kanë gjetur një memo të përgatitur nga avokati në fjalë, e cila ka ndihmuar në identifikimin e Ramazan Rrajës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×