SPAK kërkon arrestimin e saj, Balluku krenohet me rrugët e shembura: I lamë Shqipërisë vepra! S’kam 300 apartamente, as…

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me akuzat e ngritura ndaj saj nga SPAK, i cili ka kërkuar edhe arrestimin e saj. Deklarata e saj erdhi gjatë ceremonisë së prezantimit të Enea Karakaçit në krye të ministrisë që ajo drejtonte.

Balluku vlerësoi punët e ministrisë së Infrastrukturës, duke u shprehur se është krenare për “veprat e lëna në Shqipëri”, ndërkohë që në javët e fundit një sërë rrugësh dhe aksesh kryesore u shembën duke krijuar vështirësi dhe problematika të theksuara për mijëra qytetarë.

Një prej akseve më të prekura ishte rruga Librazhd-Prrenjas, shembja e së cilës bllokoi për më shumë se 1 javë qarkullimin e automjeteve me juglindjen e vendit, ndërsa edhe sot nuk ndodhet në gjendjen më optimale për qarkullim.

Duke prezantuar ministrin e ri, Balluku theksoi se Karakaçi është pjesë e administratës së ministrisë dhe një shembull për zhvillimin profesional brenda institucionit.

“Enea nuk është shoku im dhe as e kam sjellë unë. Unë e kam gjetur këtu dhe ai duhet të jetë frymëzim për secilin prej jush, sepse tek ai çdo burrë dhe grua në këtë ministri duhet të shohë mundësinë e progresit të vet”, deklaroi Balluku.

Në vijim, ish-ministrja foli për herë të parë edhe për hetimin e nisur ndaj saj, duke theksuar se ka zgjedhur të mos komentojë publikisht çështjen për shkak të natyrës juridike të saj.

“Kam marrë vendim personal që të hesht për një çështje juridike, sepse ajo nuk zgjidhet as në rrjetet sociale dhe as në studiot televizive, por duhet të ndjekë rrjedhën që parashikon Kushtetuta dhe ligji”, tha ajo.

Balluku pretendoi se ka mbështetur vazhdimisht reformën në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi dhe i vizionit për një Shqipëri evropiane, duhet të rikthejë besimin e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se nuk do të komentojë veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar se secili duhet të kryejë detyrën e tij pa u ndikuar nga debatet publike.

“Nuk do të përmend prokurorë apo gjyqtarë. Ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë timen”, deklaroi Balluku.

Ish-zv.kryeministrja mohoi gjithashtu akuzat për pasuritë e saj, detaje që siç është raportuar, kanë dalë nga hetimet e drejtësisë ndaj saj.

“Nuk kam dhe s’kam lidhje me korrupsionin. Nuk kam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente. Nuk kam jahte, limuzina, helikopterë apo avionë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet shumë lehtë në këtë vend”, tha ajo.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×