
Ergis Sefa, ekspert ekonomie, ishte i ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, në News24, ku bëri një analizë të pasojave ekonomike
Ai ka shpjeguar se Shqipëria rrezikon inflacion në rast se lufta vijon për disa javë, kjo sepse jemi shteti që ka potencialin për ta importuar inflacionin.
“Inflacioni është rritje e kostove dhe çmimeve. Jo vetëm inflacioni që e prodhojmë nga brenda, por jemi rast tipik që e importojmë, pasi partner tregtar kemi BE, Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë. Nga rritja e çmimit të gazit dhe naftës, ato rrisin koston e produkteve të tyre. Rritet edhe kostoja që ne kemi ndaj reflektohet në çmimin përfundimtar”, tha ai.
Sa i përket produkteve që ndikohen nga konflikti që ka hyrë tashmë në ditën e tetë, Sefa u shpreh se e para që do të ndikohet është nafta, fakt që e lidh me vështirësitë e kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormusit.
“Nafta është e para dhe nënproduktet e saj, në Ngushticën e Hormusit, kalon 1/3 e fertilizatorëve në botë, ato që përdoren në bujqësi, nëse vështirësohet transporti, kostoja e prodhimit në bujqësi do të rritet që rrit edhe çmimin e produkteve.
Ndikon edhe në produktet kozmetike të cilat importohen”, tha ai.
Eksperti bëri edhe një parashikim në lidhje me çmimin e naftës në vendin tonë, ku tha se nëse lufta vijon për më shumë se 4 javë, çmimi i naftës do të kalojë 250 lekë për litër.
“Çmimi pas 4-5 javësh, çmimet do të kalojnë 100 dollarë për fuçi, do të kemi rritjen e çmimeve më shumë se sa kishim në luftën në Ukrainë. Do të shkojë çmimi fundor i naftës deri në mbi 250 lekë litri i naftës”, tha ai.
Sefa foli edhe mbi floririn dhe çmimin e tij që shpesh ka arritur rekorde gjatë kësaj kohe.
“Historikisht ari dhe argjendi ishin ruajtëse të vlerës ekonomike, edhe në kulturat e lashta. Vlera e tyre në treg ruhet me shekuj. Sa herë që ka kriza gjithmonë bankat qendrore dhe investitorët e mëdhenj i kthehen floririt për rezervat e tyre. Sa herë ka krizë çmimi i arit rritet. Jemi në një krizë të rëndësishme”, tha ai.
and then