
Aktivisti dhe pedagogi Ilir Pecnikaj ka komentuar përdorimin e gjuhës fyese në Parlament dhe trajtimin e grave në institucione. Sipas tij, 8 Marsi duhet të festohet çdo ditë, duke promovuar bashkëjetesën dhe barazinë. Pecnikaj thekson se përdorimi i forcës për të mundur kundërshtarin është shkelje e normave dhe instinkteve njerëzore, duke kritikuar veprimin e deputetit Taulant Balla ndaj Albana Vokshit.
Pecnikaj thekson se problemi nuk është vetëm individi, por mënyra se si përzgjedhen përfaqësuesit në parlament, duke përmendur rastin e Zegjine Çaushit dhe ndikimin e kryeministrit Edi Rama në formimin e grupit parlamentar. Ai tha për emisionin ‘News24 Fundjava’ se kjo sjellje denigruese e politikanëve cenon institucionin dhe largon qytetarët nga politika.
Sipas Pecnikajt, rinia sot është më sociale dhe më e lirë, dhe nuk toleron gjuhë fyese, duke shtuar se respekti ndaj disa rregullave dhe jetesa në komunitet janë të domosdoshme për një shoqëri të shëndetshme. Ai kritikon edhe mënyrën se si mediat raportuan dhe ekspozuan qytetarët në mes të natës, duke e lidhur këtë me mungesën e përgjegjësisë së disa politikanëve dhe nevojën për një politikë që e bën vendin më të jetueshëm.
“8 Marsi duhet të jetë festë e përditshme, që të ketë një bashkëjetesë në mënyrë të barabartë. Forcën e përdorin kafshët për të mundur kundërshtarin e tyre. Kur përdoret forca, ke hyrë te instinktet kafshërore. Nuk mund të bëjmë viktimizimin e Albana Vokshit, pasi ajo është dinjitoze dhe e fortë, por ultësia që tregoi Taulant Balla, i cili u shty pas murit dhe nga vetë partia e tij, s’dinte të dilte nga kjo rrugë. I fyeri dhe fyesi më shumë për mua është Taulant Balla. Është humbje kohe që t’i japim rëndësi Taulantit. Fenomeni nuk është Taulanti, por përzgjedhësi i tij.
Pse e pakët ishte ajo që bëri Zegjineja?! Ky parlament i Shqipërisë, ky grup, është zgjedhur jo pa qëllim nga Edi Rama. Detyruan një mjeke të nderuar që të tërhiqej dhe çuan Zegjinenë, sepse duan këta lloj personash. Kabineti i ministrave duhet të burojë nga Parlamenti! Kush është një socialist në atë qeveri? Ky është demonizim i institucionit.
Rinia sot është më e lirë, më sociale me njëri-tjetrin. Ata që shohin një gjuhë kaq denigruese, si për shembull të baballarëve, reagojnë. Një baba i tillë ose një nënë e tillë nuk e pranojnë që të dalin në publik. Pasi kjo është sjellje e rrugacërive. Jetesa në komunitet të detyron të respektosh disa rregulla. Ju e dini mirë se çfarë u bë me News24 apo me banorët, që u nxorrën në mes të natës nga shtëpitë e tyre. Ndaj nuk na befason më çështja Balluku, dhe për këtë qytetarët nuk duan të jenë pjesë e politikës. Por kjo politikë na duhet për një të ardhme, për ta bërë këtë vend më të jetueshëm.”, tha ai.
and then