“S’ka akuzë për korrupsion, as rrezik për arratisje apo prishje të provave”/ Rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin, zbardhet raporti i PS për Belinda Ballukun

Zbardhet raporti i plotë i mazhorancës në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet, ku i kërkohet Kuvendit që të mos miratojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku me qëllim arrestimin e saj.

Në raport thuhet, ndër të tjera, se ndaj Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion dhe se nuk ekziston rreziku i arratisjes apo i prishjes së provave, siç pretendohet nga SPAK. Sipas dokumentit, masa e sigurimit personal për pezullimin nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më pasoja juridike reale, pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.

“Për rrjedhojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale. Në të njëjtën linjë arsyetimi, edhe narrativa mbi të cilën Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal, si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo i kryerjes së një vepre tjetër penale, mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më”, thuhet në raport.

Në dokument theksohet gjithashtu se Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë rolin e gjykatës. “Ai ushtron një filtër kushtetues. Dhe ky filtër nuk është dhe nuk mund të jetë formal. Ai është një mekanizëm thelbësor për ruajtjen e balancës institucionale dhe për respektimin e rolit që Kushtetuta i ka dhënë pushtetit legjislativ në raport me pushtetet e tjera”, thuhet më tej në raport.

Sipas vlerësimit të mazhorancës, nga materialet dhe informacioni i paraqitur nga SPAK nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë rrethanë e re konkrete dhe aktuale, e lindur pas caktimit të masës ekzistuese të sigurimit personal, që të tregojë se kjo masë është bërë e pamjaftueshme për qëllimet e procedimit penal. “Në këto rrethana, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton të përmbushë standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, përfundon raporti.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×