“Hana, vajza që kapi diellin” i autores Rovena Rrozhani, një libër bashkëkohor përmes këndvështrimeve moderne

Një krijim mjeshtëror! I fokusuar mbi një motiv të vjetër popullor, ku autorja Rovena Rrozhani, duke e përpunuar atë i jep krijimit të moçëm bashkëkohësinë, simbolikën e re përmes një stili magjik e të zhdërvjelltë letrar edhe në të rrëfyer…

Siç e thamë dhe më lart, motivi popullor është baza narrative e librit, ku, konçepti i heroinës përballet me errësirën, sfidat dhe triumfon jo me forcë, por me vetëbesim dhe zgjuarsi. Krijimi në fjalë është shumë i ngjashëm me arketipet e përrallave tradicionale shqiptare dhe ballkanike.

Po çfarë i sjellë libri “Hana, vajza që kapi diellin”; motivit popullor?

Rovena rikthen elementet bazë të folklorit, duke i parë dhe trajtuar përmes një këndvështrimi modern. Tema e fitores së dritës mbi errësirën lidhet me simbolikën e diellit, një figurë tradicionale e shpresës dhe e energjisë; e jetësuar, e gdhendur, e rrëfyer në krijimet popullore.

Po çfarë i mungon motivit popullor, në librin “Hana, vajza që kapi diellin?”

Libri, përmes kulturës dhe talentit të autores shmang  steriotipet gati-magjike në favor të psikologjizimit dhe reflektimit të brendshëm të heroinës. Pra, nuk mbetet thjesht një përrallë klasike me të gjithë elementet e saj, por, ajo, kështu siç na paraqitet është më realiste emocionalisht e poetikisht për lexuesin bashkëkohor.

Po, si e bën bashkëkohore, krijimin e saj shkrimtarja Rovena Rrozhani?

Autorja, duke hyrë në historinë tradicionale popullore, së pari, figurës së Hanës, tematikisht i jep fuqizim personal; së dyti, përfshin dhe ndriçon vlera bashkëkohore, si: drejtësia, vetëbesimi, kreativiteti dhe pavarësia; së treti, i jep jetë një narrative që i afrohet psikologjisë se sa magjisë së pastër, – qëndrime këto që i afrohen lexuesit modern, sidomos fëmijëve që rriten në një mjedis multikulturor.

Libri përdor një simbolikë të fuqishme, simbolikë që procedon gjatë gjithë historisë së ngjarjes dhe rrugëtimit misionar dhe letrar të heroinës. Më konkretisht: Dielli mbetet dhe rrezaton si simbol i dritës, i shpresës, i njohurisë dhe i jetës. Fakti që, Hana “kap diellin” është metaforë për triumfin e brendshëm mbi errësirën për zhvillimin e personalitetit, për çlirimin e vetes nga frika.

Errësira dhe Mjerimi simbolizojnë pengesat psikologjike dhe sociale që përballen fëmijët dhe të rinjtë në rrugëtimin e rritjes.

Pasqyra (si element motivor (motivues) është një simbol i rëndësishëm në zhvillimin ideor të subjektit të librit, ku shpreh bashkëveprimin midis identitetit, vetëvlerësimi dhe përçeptimit të vetes, gjatë ballafaqimit me të. Është një zgjerim metaforik mbi figurat popullore, ku PASQYRA, shpesh, shërben si dera midis botës reale dhe asaj magjike.

Stili dhe veçantitë letrare të autores

Stili shfaqet poetik, i rrjedhshëm, i kuptueshëm për lexuesit e vegjël. Autorja përdor gjuhë të qartë, motivuese dhe gjithë pozitivitet, që mbështet fuqishëm mesazhet ndërgjegjësuese dhe edukative të librit. Shkrimi i autores ndërthur elemente klasike të përrallës me tematikë moderne, si: guximi, drejtësia soçiale, pavarësia e vajzës dhe besimi te vetvetja. Personazhet me shtresimet dhe optikat përkatëse të shikimit dhe veprimit rrezatojnë emoçion dhe nuk mbeten vetëm figura simbolike. Edhe elementet fantastike janë përdorur si mjete pedagogjike.

Harmonizimi i tekstit me ilustrimet e piktores Mirjana Madhi

Ilustrimet në librin “Hana, vajza që kapi diellin” nga piktorja Mirjana Madhi janë pjesë integrale e leximit. Ato plotësojnë estetikisht imazhin emocional të rrëfimit, duke forcuar idetë e guximit, shpresës dhe transformimit. Ndihmojnë lexuesin të vizualizojë botën e Hanës, duke ndërtuar një lidhje më të fortë mes fjalëve dhe perceptimit vizual. Harmonizimi është i suksesshëm, sepse ilustrimet nuk janë dekorative, por pasurojnë mesazhet edukative dhe emocionet që të fal teksti. Është i dukshëm kontrasti dritë / errësirë. Ka tonalitet të artë dhe të ngrohtë në momentet kulmore. Ndërsa ekzistenca e ngjyrave më të ftohta flasin për fazat e pasigurisë. Ilustrimet nuk e përsërisin tekstin, por e thellojnë emoçionin, ndihmojnë kuptimin simbolik të tij. Kurse, te bashkëpunimi tekst-imazh, harmonia është e arrirë, sepse simbolika vizuale përputhet me metaforën letrare, figurat janë ekspresive. Për rrjedhojë, fëmija arrin ta kuptojë mesazhin edhe përmes imazhit. Ky është një nga tiparet e letërsisë moderne për fëmijë, ku ilustrimi është bashkautor i narrativës, dhe, ku, fëmija-lexues vizaton “diellin” e tij.

Analizë personazhesh

Hana si figurë folklorike lidhet me tipin e vajzës së zgjuar e guximtare të përrallave shqiptare. Hana, si figurë moderne, ndryshe nga heroina tradicionale, a) nuk pret shpëtim nga jashtë. b) nuk vepron vetëm për të tjerët, por vepron për rritjen e vetvetes. c) ka dimension të fortë psikologjik (frikë, dyshim, vendim). Sepse, Hana është simbol i fuqizimit të vajzës, i vetëbesimit dhe i autonomisë morale. Hana përfaqëson fëmijën e sotëm që përballet me pasigurinë, por që kërkon dritë brenda vetes.

Errësira, antagonistja tjetër në vazhdën e simbolikave

Errësira nuk është thjeshtë një forcë fizike. Ajo përfaqëson frikën, mungesën e besimit, pasigurinë sociale e pengesat e padukshme. (Në folklor, e keqja, shpesh, personifikohet me kuçedrën, shtrigën… etj.).  Këtu, te “Hana…” ajo është më abstrakte, çka e bën tekstin më bashkëkohor dhe më psikologjik.

Dielli, simbolika kryesore

Dielli nuk është vetëm objekt fizik. Simbolizon dritën e dijes, shpresën, energjinë krijuese, identitetin e plotë. Akti i “kapjes” së tij është metaforë e marrjes së kontrollit mbi jetën, është metaforë e rritjes shpirtërore.

Bashkëpuninimi i folklorit me modernitetin

Autorja ruan strukturën e përrallës, shmang moralizimin e drejtpërdrejtë, përdor me efikasitet mesazhin e brendshëm, larg didaktikës së rëndomtë. Ky, nga ana e autores është një stil edukativ bashkëkohor, një tipologji jo dhe aq e shfaqur, e pranishme në letërsinë shqipe për fëmijë, ku mesazhi del nga veprimi, e, jo nga udhri.

Interpretim krahasues, tipare dhe veçori në mes përrallës “Hana, vajza që kapi diellin” (sipas një motivi popullor)  i shkrimtares Rovena Rrozhani dhe i përrallës nga folklori “E Bukura e Dheut”
“E Bukura e Dheut” është një nga përrallat më të njohura të traditës popullore shqiptare. Ajo përmban udhëtimin e vështirë drejt dritës (shpëtimit), përballjes me forcat e errëta, motivin e sakrificës, triumfin përmes këmbënguljes dhe pastërtisë shpirtërore. Këto elementë, mendoj se, krijojnë një terren të përshtatshëm krahasimi me përrallën “Hana, vajza që kapi diellin” (sipas një motivi të vjetër) të shkrimtares Rovena Rrozhani.

UDHËTIMI…
Përralla “E Bukura e Dheut” mbart shprehësinë e një udhëtimi fizik drejt botëve të panjohura me qëllim çlirimi dhe bashkimi. Në këtë udhëtim, na shfaqen si pengesa qeniet e liga që janë konkrete. Ndërsa, te përralla “Hana, vajza që kapi diellin” udhëtimi, kryesisht është i brendshëm, psikologjik; me qëllimin e ndriçimit të vetëdijes dhe të fuqizimit të personalitetit. Këtij udhëtimi i bëhet pengesë errësira e konceptuar si simbolikë. Vazhdojmë me dukuri të tjera të “udhëtimit…”. Te përralla popullore e qëmoçme udhëtimi është i jashtëm dhe aventuror. Te “Hana…”, udhëtimi është metaforë e rritjes së brendshme. Kjo na flet për zhvendosjen: – nga heroizmi epik drejt heroizmit emocional e njerëzor.

FIGURA E PERSONAZHIT – FEMËR
Te “E Bukura…” figura e femrës është ideale, e bukur, e dëshiruar. Shpesh është objekt shpëtimi. Bukuria e saj fokusohet si vlerë. Te “Hana…”, vetë Hana është subjekt veprimi. Nuk pret shpëtim. Vlera e saj nuk qëndron te bukuria, por te forca e brendshme. Këtu qëndron dhe dallimi më i madh bashkëkohor: nga vajza si ideal estetik – te vajza si subjekt i vetëdijshëm. (Hana…).

SI SHFAQET “PORTRETI” I ANTAGONISTIT?
Në përrallën folklorike kuçedra, shtriga… etj., janë forca të egra e të errëta fizike. E keqja në këtë pamje është e jashtme dhe e identifikueshme. Te “Hana…” errësira është metaforike. Armiku është frika, pasiguria, mungesa e dritës së brendshme. Kjo tregon një aspekt tjetër, atë të kalimit nga një kulturë e frikës së jashtme në një kulturë të vetëdijes së brendshme.

SIMBOLIKA E DRITËS
Te “E BUKURA…”, drita është shpëtim fizik e rikthim në rendin normal. Te “Hana…”, dielli është vetëdije, dhe kapja e tij është akt emancipimi. Në folklor drita vjen si dhuratë, kurse te “Hana…” drita merret me guxim e përpjekje.

FUNKSIONI EDUKATIV
Te përralla popullore, mesazhi është: – Durimi shpërblehet; kurse te “Hana…” mesazhi është: – Besimi në vetvete transformon. Te përralla popullore, modeli është heroi klasik, kurse te “Hana…” modeli është heroi emocional, njerëzor. Te përralla popullore, qëllimi është ruajtja e rendit, kurse te “Hana…” është zhvillimi i individit. Folklori synon stabilitetin e komunitetit, kurse autorja Rrozhani synon fuqizimin e individit.

ÇFARË RUHET DHE ÇFARË TRANSFORMOHET TE “HANA…”?
Te teksti ruhet struktura e krijimit, motivi i dritës, figura e vajzës si bartëse e shpresës, dhe fundi është optimist.
Transformohet: – Nga shpëtimi nga jashtë në vetëshpëtim; – Nga bukuria si vlerë te vetëdija si vlerë; – Nga magjia konkrete te simbolika psikologjike. Ndaj dhe “Hana…” mund dhe duhet të lexohet, si: a) një rishkrim modern i arketipit folklorik. b) një zhvendosje nga epika tradicionale drejt introspeksionit. c) një emancipim i figurës femërore brenda modelit të përrallës.

Nëse “E Bukura…” mishëron idealin estetik dhe mitik të kulturës tradicionale shqiptare; te “Hana…” mishërohet ideali i vetëdijes dhe i autonomisë së kulturës bashkëkohore.

“Shënime, përqasje, këndvështrime, analiza personazhesh, trajtesa simbolikash etj te libri “Hana, vajza që kapi diellin” (sipas një motivi popullor) i shkrimtares Rovena Rrozhani”,
Ilustrimet: Mirjana Madhi,
Tiranë 2024

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×