
Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në vend, duke u ndalur te hetimet dhe debatet që lidhen me projektin e portit të ri të Durrësit.
I ftuar në News24, Malaj u shpreh kritik ndaj mënyrës se si janë realizuar projektet e mëdha infrastrukturore në Shqipëri, duke theksuar se shumë prej tyre janë dëmtuar nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi.
“Nuk ka vepra historike infrastrukturore në Shqipëri. Nëse do të ishin të tilla, nuk do të kishin rënë. Ato kanë rënë sepse janë gërryer nga korrupsioni dhe babëzia”, deklaroi ai.
Sipas Malajt, portet kanë një rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe janë thelbësore për lidhjen me tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai përmendi edhe teorinë e disa ekonomistëve që theksojnë se zhvillimi ekonomik shpesh ndërtohet rreth porteve dhe infrastrukturës që lidhet me to.
“Zhvillimi bëhet pranë porteve dhe kush zotëron portet zotëron botën”, u shpreh Malaj.
Ish-ministri ngriti gjithashtu shqetësime për përjashtimin nga gara të disa kompanive të mëdha ndërkombëtare, përfshirë kompani franceze dhe gjermane, në projekte të rëndësishme portuale.
Ai paralajmëroi se kur kompanitë operojnë përmes strukturave offshore, kjo përbën një “flamur të kuq”, pasi nuk janë gjithmonë të qarta pronësitë reale dhe burimet e investimeve.
Malaj theksoi se ligji shqiptar kërkon transparencë të plotë për investitorët e huaj, sidomos në rastet kur ata zotërojnë më shumë se 26% të aksioneve në një kompani që operon në Shqipëri.
Në analizën e tij, ai u ndal edhe te rëndësia e korridoreve rajonale të transportit, duke theksuar se Shqipëria ka një pozicion strategjik në rajon dhe duhet të shfrytëzojë më mirë lidhjet me Korridorin 8 dhe Korridorin 10.
Sipas Malajt, zhvillimi i porteve dhe integrimi me këto korridore janë thelbësore për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe për ta kthyer vendin në një qendër të rëndësishme të projekteve rajonale.
and then