
Avokati Arbër Hoxha, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe debatet për drejtësinë në vend, në një kohë kur SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Hoxha u shpreh se ndërhyrjet politike mund të kenë ndikim të fortë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se intimidimi nga politika mund të jetë edhe më i rrezikshëm se ai nga krimi i organizuar.
“Gjithmonë intimidimi i jakave të bardha është më i frikshëm se ai i krimit të organizuar. Nëse krimi të vret fizikisht, politika të pret këmbët në mënyra të tjera”, u shpreh ai.
Sipas avokatit, një nga shqetësimet kryesore lidhet me mundësinë e ndryshimit të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton kompetencat e SPAK për hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Hoxha paralajmëroi se nëse ky nen ndryshohet, mund të kufizohet ndjeshëm roli i Prokurorisë së Posaçme, duke kaluar një pjesë të madhe të rasteve të korrupsionit te prokuroritë e tjera.
“Nëse ndryshohet ky nen, është thembra e Akilit për SPAK. Kjo do të ishte një tragjedi e mirëfilltë dhe do të dëmtonte seriozisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale përfshin ndër të tjera hetimin nga SPAK të korrupsionit aktiv dhe pasiv të zyrtarëve publikë, të funksionarëve të lartë shtetërorë, shkeljen e barazisë në tendera publikë, si dhe veprat penale të kryera nga grupet e strukturuara kriminale dhe organizatat kriminale.
Sipas Hoxhës, çdo ndërhyrje që dobëson kompetencat e SPAK do të kishte pasoja jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për procesin e integrimit europian të vendit.
and then