
Një tjetër aksident me pasoja të rënda është regjistruar në një galeri kromi në minierën e Bulqizës.
Në një deklaratë për mediat, policia e Bulqizës thotë se e ka referuar rastin si aksidental. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori për një ngjarje aksidentale, pasi shtetasi A.L, 49 vjeç, banues në Burrel, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht gjatë punës në subjektin minerar “Klosi” në pronësi të shtetasit Arjan Agim Likola.
Si pasojë, 49-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Rasti është mbajtur i fshehtë si shumë raste të tjera në galeritë e kromit të minierës së Bulqizës. Edhe në deklaratën e policisë nuk jepet asnjë detaj për subjektin ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa vazhdimisht ka patur ngjarje të tilla që nuk janë bërë fare publike.
Po ashtu, shqetësim i vazhdueshëm mbetet mbajtja fshehur të ngjarjeve të tilla ku dyshohet se kompanitë e bëjnë për të fshehur penalitetet nga institucionet shtetërore, madje në shumë raste, te plagosurit dërgohen në spitale private, për t’iu shmangur ndëshkimeve ligjore që merren në raste të tilla. Në gjithë këto vite asnjë drejtues subjekti apo përgjegjës për sigurinë në galeritë e kromit nuk është vendosur para drejtësisë.
Ndërkohë, mësohet se hetim kanë nisur edhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes në Punë si dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.
and then