Hakmarrje e tatimorëve ndaj medias! Gjobat e paligjshme të Erilinda Lalës ndaj kompanive të “Hysenbelliu Group”

Prej më shumë se gjashtë muajsh, televizioni News24 dhe mediat e tjera të “Hysenbelliu Group” kanë zhvilluar një sërë investigimesh gazetareske, përmes të cilave janë ngritur dyshime dhe janë bërë publike informacione mbi skandale të mundshme dhe raste të dyshuara abuzimi që lidhen me Drejtoreshën e Tatimeve të Tiranës, znj. Erilinda Lala, si dhe me persona të lidhur me të (familjarë të saj).

Në vend që ndaj këtyre denoncimeve të kishte transparencë institucionale dhe një reagim shpjegues për opinionin publik, është zgjedhur një rrugë tjetër: përdorimi i mekanizmave administrativë për të ushtruar presion dhe për të ndëshkuar mediat që kanë guxuar të raportojnë mbi këto çështje.

Pas publikimit të fakteve dhe për shkak se investigimet vijojnë, janë dërguar dy grupe kontrolli tatimor në dy kompani të ndryshme të “Hysenbelliu Group”.

Në një prej rasteve, grupi i kontrollit ka kryer verifikimet përkatëse dhe nuk ka konstatuar shkelje që të justifikonin vendosjen e gjobave të rënda administrative. Sipas informacioneve e fakteve, të cilat do i bëjmë publike shumë shpejt, ky grup nuk ka pranuar të firmosë gjoba që konsiderohen të pajustifikuara. Pas kësaj ai është larguar dhe në vend të tij është dërguar një grup tjetër kontrolli.

Në rastin e një kompanie tjetër të grupit, situata konsiderohet edhe më e rëndë, pasi vendimi për vendosjen e gjobës është urdhëruar drejtpërdrejt nga vetë Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Tiranës, znj. Erilinda Lala.

Këto veprime ngjajnë më shumë me një akt ndëshkimi ndaj gazetarisë investigative, sesa me një proces normal administrativ të kontrollit tatimor. Vendosja e gjobave të konsideruara të pajustifikuara krijon gjithashtu pasiguri për bizneset, pasi çdo subjekt ekonomik mbështetet në interpretimin profesional të specialistëve të financës dhe të këshilltarëve fiskalë për zbatimin korrekt të legjislacionit tatimor.

Nëse institucionet përdoren për të vendosur gjoba të pajustifikuara apo për të ushtruar presion ndaj subjekteve të caktuara, kjo krijon një klimë pasigurie juridike dhe ekonomike, që dëmton jo vetëm bizneset e përfshira, por edhe besimin e përgjithshëm në administratën publike.

Mediat e “Hysenbelliu Group” theksojnë se do të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për informimin e publikut, duke publikuar fakte të pandodhura më parë lidhur me këto 2 kontrolle që janë tepër shokuese për grupet e interesit (biznese tatimpaguese, kontabilistë dhe fiskalistë).

Çdo përpjekje për të frikësuar median përmes presioneve administrative apo gjobave të konsideruara të fabrikuara, përbën një goditje ndaj lirisë së informimit dhe ndaj parimeve të shtetit të së drejtës.

Liria e medias dhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar nuk mund të kufizohen me presion apo me masa ndëshkuese administrative. Opinioni publik ka të drejtë të dijë se si veprojnë institucionet që duhet të garantojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë.

Pavarësisht çdo presioni apo tentative për intimidim, publikimi i fakteve dhe mbrojtja e interesit publik do të vazhdojnë!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×