
Procedura e tenderit për ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano, u anulua, pas kompania e vetme e mbetur në garë, nuk paraqiti ofertë financiare.
Lajmi që u raportua ekskluzivisht nga News 24 u konfirmua më vonë gjatë një dalje publike nga Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi, i cili nuk dha shpjegime lidhur me ecurinë e projektit.
“Kemi tërheqje me arsye tërësisht ekonomike, për shkak të rritjes së Kostos dhe efekteve të krizës dhe ofertuesi ka bërë tërheqje duke e arsyetuar me kostot”, ka thënë mes të tjerash ministri Karakaçi.
Ndërkohë bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet.
Skandalin e portit e ka denoncuar i pari emisioni investigativ “Vetting” në Neës24.
Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe instimit të vazhdueshëm të SHBA-ve. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.
and then