MOTO GP/ Markez alarmon: Dëmtimi të ul deri në 15% formën, Bexeki dhe Akosta janë shumë të fortë

Mark Markez nuk e ka nisur Kampionatin Botëror të MotoGP ashtu siç dëshironte. Nëntë herë kampioni i botës arriti të marrë vetëm 9 pikë nga gara e zhvilluar në Buriram.

Në Çmimin e Madh të Tajlandës ai u detyrua të kënaqej vetëm me pikët e fituara në garën Sprint. Spanjolli i Dukatit zyrtar përfundoi i dyti, një rezultat me shije të hidhur e të ëmbël (duke humbur mundësinë për fitoren e 16-të në një garë Sprint për shkak të një penalizimi në fund të eventit), ndërsa në garën kryesore u detyrua të tërhiqej pas shpërthimit të gomës së pasme.

Piloti me numrin 93 mund të konsiderohet me fat që nuk u rrëzua rëndë, duke parë sa spektakolar ishte incidenti në “Chang International Circuit”. Kështu, Markez e nis sezonin me 23 pikë më pak se lideri Pedro Akosta. Lajmi i mirë për Markezin është se kalendari ka ofruar një pushim të shkurtër, i cili mund ta ndihmojë shumë për t’u përmirësuar fizikisht. Dëmtimi i rëndë në krahun e djathtë, i shkaktuar nga përplasja me Marko Bexekin në Indonezi, e pengoi atë të drejtojnte Dukatin në katër garat e fundit të sezonit të kaluar. Kjo situatë ndikoi negativisht si në përgatitjet para sezonit, ashtu edhe në garën e parë të vitit 2026.

GJENDJA FIZIKE – “Besoj se ende kam hapësirë për përmirësim, por nuk di të them saktësisht sa, sepse pas një dëmtimi nuk e di kurrë ku është 100%. Ndonjëherë një dëmtim të ul vetëm 2%, herë të tjera mund të të ulë edhe 15%. Shpresoj që gradualisht të përmirësohem dhe të ndihem më mirë në garat e ardhshme”, është shprehur kampioni në fuqi i botës.

SPRINTI NË BURIRAM – Sa i përket penalizimit në Sprint, ku përfitoi “Peshkaqeni” Pedro Akosta, Markez vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim që shprehu menjëherë pas garës. “Nëse arbitrat vendosin një kufi në një pikë të caktuar, ne duhet të përshtatemi. Sigurisht që ishte një veprim në limit. A mund të ndëshkohej? Po, ndoshta edhe jo. Ai që penalizohet gjithmonë do të thotë jo, ndërsa tjetri ndoshta do të thotë po. Por në motoçiklizëm, sidomos në dy xhirot e fundit, agresiviteti rritet gjithmonë pak dhe secili përpiqet të mbrojë pozicionin maksimalisht. Megjithatë, jam krenar për mënyrën se si përfundoi gara”, shpjegoi ai.

TËRHEQJA NË GARËN KRYESORE – Piloti nga Çervera pranoi gjithashtu se nuk kishte ndjesi të mira gjatë garës së gjatë të së dielës në Tajlandë. “Të dielën e qasja garën krejt ndryshe. Që në formatim e kuptova se nuk isha mirë, me pak forcë, dhe e kuptova si duhej ta menaxhoja garën. E trajtova si një garë mbijetese. Në fillim u përpoqa ta menaxhoja veten fizikisht, gjithashtu edhe gomat, në mënyrë që në 10 xhirot e fundit të mund të sulmoja nga çfarëdo pozicioni dhe të rikuperoja kohë.

Po funksiononte, por në kthesën e katërt, duke kërkuar linjën më të sigurt, goma e pasme u shpua, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Ishte pak fat i keq, sepse ndihesha mirë dhe nëse nuk do të kishte ndodhur asgjë e pazakontë në xhirot e fundit, do ta kishim përfunduar Çmimin e Madh në podium”, theksoi nëntë herë kampioni i botës.

sadsaddssddsdssda



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×