Bëri ankim kushtetues kundër lënies në arrest me burg, GJK rrëzon ish-ministrin Ilir Beqaj

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen me kërkues ish-ministrin Ilir Beqaj, i cili kishte paraqitur ankim kushtetues individual kundër vendimeve gjyqësore që caktuan ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Beqaj kishte kërkuar shfuqizimin e disa vendimeve të gjykatave të posaçme dhe të Gjykata e Lartë e Shqipërisë, duke pretenduar se ato binin në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke kërkuar kthimin e çështjes për rigjykim në shkallën e parë.

Sipas vendimit, ankimi lidhej me masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila në korrik 2024 kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”, vendim që më pas u la në fuqi edhe nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kufizimi i lirisë personale të Beqajt është bërë në përputhje me ligjin dhe mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për veprat penale për të cilat ai po hetohet. Sipas gjykatës, vendimet e gjykatave të zakonshme janë mbështetur në prova dhe në rrethanat e hetimit penal.

Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të të drejtës për liri personale dhe as të parimit të sigurisë juridike apo proporcionalitetit në caktimin e masës së sigurimit.

Sipas hetimeve të SPAK, Beqaj dyshohet për disa vepra penale që lidhen me procedura prokurimi dhe përfitime të paligjshme gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), përfshirë mashtrim, korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera.

Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e ish-ministrit, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.

VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE:

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

  1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 28.01.2026

Shpallur më 13.03.2026

 

A N Ë T A R E                                   A N Ë T A R E                                  K R Y E T A R E

 Kundër                                                            

/Sonila Bejtja/(d.v.)                        /Marsida Xhaferllari/(d.v.)            /Fiona Papajorgji/(d.v.)

                                               

                        A N Ë T A R E                                   A N Ë T A R  

                                                                                                               

                        /Marjana Semini/(d.v.)                     /Ilir Toska/(d.v.)       

                                               

                                    A N Ë T A R                          A N Ë T A R 

                                    Kundër

                                    /Sandër Beci/(d.v.)                 /Asim Vokshi/(d.v.)

Vërtetohet njësia me origjinalin

SEKRETAR I PËRGJITHSHËM

Eugen PAPANDILE



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×