
Administrata Doganore ka ndërmarrë një aksion kontrolli në sektorin e hidrokarbureve në qytetin e Elbasanit, në kuadër të planit operacional për monitorimin e tregut të produkteve energjetike.
Sipas njoftimit, aksioni u zhvillua mbi bazën e analizës së riskut, e cila identifikoi dy subjekte që operojnë në tregtimin e karburanteve dhe për të cilët kishte dyshime për shmangie të detyrimeve ligjore dhe doganore.
Fillimisht, subjektet u monitoruan në distancë, gjatë një faze paraprake kontrolli ku u ngritën dyshime të arsyeshme për përdorimin e dokumentacionit jo të rregullt dhe për mosdeklarim të plotë të aktivitetit.
Pas kësaj faze, një task-forcë e inspektorëve ushtroi kontrolle në terren për të verifikuar situatën.
Nga verifikimet e kryera në subjektet e kontrolluara u konstatuan një sërë shkeljesh, nga moslëshimi i faturës për transaksionet e kryera, punonjës të padeklaruar, si dhe mall pa faturë.
Po ashtu, inspektorët konstatuan mosafishim të listës së çmimeve dhe mospërditësim të të dhënave të biznesit.
Për shkeljet e konstatuara u vendosën penalitetet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, autoritetet bënë me dije se dy subjekteve të kontrolluara iu sekuestrua dokumentacion jo i rregullt, i cili do të shërbejë për verifikime të mëtejshme administrative.
and then