
Vllaznia vazhdon të jetë një nga protagonistët kryesorë të këtij sezoni në kampionat, duke marrë tashmë bashkëkryesimin e renditjes. Skuadra kuqeblu ndodhet në kuotën e 52 pikëve, po aq sa Elbasani, por shkodranët mbajnë vendin e parë falë avantazhit në përballjet direkte me rivalët kryesorë për titullin. Një tjetër provë e forcës së ekipit erdhi edhe në sfidën e fundit në transfertë ndaj Egnatias në Rrogozhinë, që përfundoi në barazim pa gola.
Edhe pse nuk arritën të merrnin tre pikët, shkodranët dolën nga kjo përballje me një tjetër rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi, duke ruajtur epërsinë në bilancin sezonal mes dy skuadrave. Në katër ndeshjet e zhvilluara këtë sezon ndaj Egnatias, skuadra e drejtuar nga Edi Martini ka arritur të regjistrojë dy fitore dhe dy barazime.
Në “Loro Boriçi” kuqeblutë triumfuan me rezultatet 2-0 dhe 1-0, ndërsa në Rrogozhinë sfidat përfunduan 0-0 dhe 2-2, një bilanc që flet qartë për epërsinë e shkodranëve ndaj një prej kundërshtarëve më të fortë të kampionatit. Avantazhi në ndeshjet direkte nuk ndalet vetëm te Egnatia. Edhe ndaj rivalit tjetër për kreun, Elbasani, kuqeblutë kanë treguar superioritet gjatë këtij sezoni. Kuqeblutë kanë arritur dy fitore të rëndësishme, 1-0 dhe 2-1, ndërsa kanë pësuar vetëm një humbje minimale 1-0, duke ruajtur kështu një bilanc pozitiv që mund të rezultojë vendimtar në fundin e kampionatit.
Një tjetër rival i drejtpërdrejtë është edhe Partizani, që aktualisht mban vendin e katërt në renditje. Edhe ndaj të kuqve të kryeqytetit, Vllaznia ka pasur një sezon mjaft pozitiv në përballjet direkte, duke regjistruar dy fitore dhe një barazim. Shkodranët triumfuan bindshëm 4-1 në një nga sfidat më spektakolare të sezonit dhe më pas fituan edhe 1-0 në një tjetër përballje direkte, ndërsa në Tiranë ndeshja u mbyll në barazim 1-1.
Këto rezultate tregojnë se skuadra e Vllaznisë jo vetëm që po mban ritmin në garën për titull, por ka ditur të bëjë diferencën pikërisht në përballjet me rivalët kryesorë, një element që mund të peshojë shumë në verdiktin final të sezonit.
and then