Mbrojtja e Veliajt në Gjykatën Kushtetuese: Masa e paraburgimit rrezikon institucionet demokratike

Mbrojtja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë kundërshtimet ndaj prapësimeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me masën e sigurimit ndaj tij.

Në dokumentin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, mbrojtja e Veliajt kundërshton argumentet e paraqitura nga prokuroria, duke i cilësuar ato problematike për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Sipas mbrojtjes, në prapësimet e saj prokuroria argumenton se vetë autoriteti i një të zgjedhuri vendor mund të përbëjë rrezik për hetimin penal. Në dokument theksohet se prokuroria shprehet se edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, autoriteti i rikthyer i një zyrtari mund të krijojë presion mbi vartësit dhe të ndikojë në lirinë e dëshmisë së tyre.

Mbrojtja e Veliajt argumenton se një qasje e tillë e trajton legjitimitetin demokratik të një të zgjedhuri si faktor presioni procedural dhe jo si shprehje të sovranitetit të qytetarëve.

Po ashtu, në kundërshtimet e depozituara theksohet se prokuroria e konsideron si arsye për vijimin e paraburgimit faktin që Veliaj dhe Bashkia e Tiranës kanë depozituar një padi administrative për verifikimin e ligjshmërisë së mandatit të njërit prej prokurorëve të çështjes. Sipas mbrojtjes, kjo do të thotë se ushtrimi i të drejtës për akses në gjykatë dhe për kontroll gjyqësor të mandatit të një zyrtari publik po përdoret si argument për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Në dokument theksohet gjithashtu se pretendimi i prokurorisë se depozitimi i padisë administrative përbën përpjekje për të krijuar konflikt institucional përmes Bashkisë së Tiranës është i pabazuar. Mbrojtja argumenton se, si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues ligjor i institucionit, Veliaj ka të drejtë të përfaqësojë institucionin në çështje që lidhen me funksionimin e tij.

Sipas saj, masa e sigurimit ndaj Veliajt ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e Bashkisë së Tiranës dhe për këtë arsye institucioni ka interes të verifikojë ligjshmërinë e mandatit të prokurorit të çështjes.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se konflikti institucional është krijuar nga vetë prokuroria, duke ndërhyrë për të mbrojtur një prokuror, mandati i të cilit ndodhet aktualisht në verifikim në gjykatë. Në këtë kontekst përmendet edhe emri i prokurorit Olsi Dado, për të cilin thuhet se mandati është në shqyrtim gjyqësor në gjykatën administrative.

Në kundërshtimet e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese theksohet gjithashtu se paraburgimi pa afat i Veliajt ka tejkaluar, sipas mbrojtjes, standardet e proporcionalitetit dhe ato të rekomanduara nga Komisioni i Venecias për të zgjedhurit vendorë.

Mbrojtja argumenton se paraburgimi nuk mund të zgjatet në mënyrë të pakufizuar mbi të njëjtat arsye fillestare dhe pa rrethana të reja konkrete që ta justifikojnë atë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një të zgjedhur vendor.

Për këtë arsye, mbrojtja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse në këtë rast bëhet fjalë për një masë sigurimi apo për një precedent që, sipas saj, mund të ndikojë në standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, të drejtën për mbrojtje dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

“Prapësimet e prokurorisë paraqesin argumente thellësisht problematike për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

1. Në mënyrë të paprecedent, prokuroria argumenton se vetë autoriteti demokratik i një të zgjedhuri vendor përbën në vetvete rrezik për hetimin penal. Në prapësimet e saj ajo shprehet se: “Edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, vetë autoriteti i rikthyer krijon presion objektiv mbi vartësit, duke cenuar spontanitetin dhe lirinë e dëshmisë.” Sipas kësaj logjike, legjitimiteti demokratik i një të zgjedhuri nuk trajtohet si shprehje e sovranitetit të qytetarëve, por si faktor presioni procedural që duhet neutralizuar përmes paraburgimit. Një qasje e tillë përbën një sulm institucional ndaj demokracisë dhe një mandati demokratik të konfirmuar si të tillë edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese.

2. Po aq shqetësues është argumenti tjetër i prokurorisë: se një mbrojtje aktive dhe plotësisht kushtetuese nga ana e Erion Veliajt përbën arsye për vijimin e paraburgimit të tij. Prokuroria e konsideron sulm ndaj hetimit depozitimin nga ana e Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës të një padie administrative për verifikimin e ligjshmërisë së mandatit të njërit prej prokurorëve të çështjes. Sipas saj, vetë kërkimi i këtij kontrolli gjyqësor justifikon vazhdimin e paraburgimit. Kjo do të thotë se e drejta kushtetuese për akses në gjykatë dhe për verifikimin gjyqësor të mandatit të një zyrtari publik kthehet në arsye për të mbajtur në burg personin që e ushtron këtë të drejtë. Në këtë logjikë, ushtrimi i të drejtave kushtetuese nga qytetarët do të kthehej nga një garanci mbrojtjeje në një rrethanë rënduese për lirinë personale.

3. Po aq i pabazuar është edhe pretendimi se depozitimi i kësaj padie administrative përbën përpjekje për të krijuar konflikt institucional duke përdorur Bashkinë e Tiranës. Erion Veliaj është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i konfirmuar si i tillë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë cilësi ai është përfaqësuesi ligjor i institucionit. Masa e sigurimit ndaj kreut të këtij institucioni ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e Bashkisë së Tiranës, pasoja që qytetarët e kryeqytetit i konstatojnë çdo ditë. Për rrjedhojë, vetë institucioni ka interes të drejtpërdrejtë dhe legjitim aktiv për të verifikuar ligjshmërinë e mandatit të një prokurori, veprimtaria e të cilit ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për Bashkinë e Tiranës duke pezulluar në mënyrë efektive nga ushtrimi i detyrës kryetarin e zgjedhur të saj.

E vërteta është e kundërta e asaj që pretendohet. Konflikti institucional është krijuar nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila po ndërhyn institucionalisht për të mbrojtur një prokuror, mandati i të cilit është aktualisht në verifikim para gjykatës administrative. Një institucion serioz duhet të presë vendimin e gjykatës dhe të shmangë çdo veprim që mund të interpretohet si përpjekje për të ndikuar në një proces gjyqësor në zhvillim. Vetë fakti që mandati i prokurorit Olsi Dado është në shqyrtim gjyqësor duhet të ishte një shqetësim institucional për çdo organ të sistemit të drejtësisë. Në një situatë të tillë, standardi ligjor do të kërkonte respekt për procesin gjyqësor dhe mosndërhyrje institucionale (i paditur është personi Olsi Dado, jo institucioni) deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

4. Në kundërshtimet e depozituara në Gjykatën Kushtetuese theksohet gjithashtu se paraburgimi pa afat i Erion Veliajt ka tejkaluar çdo standard proporcionaliteti dhe çdo standard të vendosur nga Komisioni i Venecias për të zgjedhurit vendorë. Paraburgimi nuk mund të zgjatet në mënyrë të pakufizuar mbi të njëjtat arsye fillestare dhe pa rrethana të reja konkrete që ta justifikojnë atë, aq më tepër kur kjo masë po rëndon mbi mirëqeverisjen e kryeqytetit dhe bëhet fjalë për një të zgjedhur vendor që vetë ligji nuk lejon të pezullohet nga detyra.

Në një shtet të së drejtës, paraburgimi nuk mund të përdoret si instrument për të neutralizuar autoritetin demokratik të një të zgjedhuri, për të ndëshkuar ushtrimin e të drejtave kushtetuese të mbrojtjes apo për të shfuqizuar në praktikë të drejtën qytetare të vetëqeverisjes.

Për këtë arsye, Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar të vlerësojë nëse në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me një masë sigurimi, apo me krijimin e një precedenti që rrezikon standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, të drejtës për mbrojtje dhe funksionimit normal të institucioneve demokratike.”, sqarohet në argumentet e dorëzuara në Kushtetuese.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×