“Fondet IPARD në krizë”, Pilku: Institucionet shqiptare kanë humbur besimin e Brukselit, ja sa do të zgjasë “ngrirja” e parave për bujqësinë

Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku, ka ngritur shqetësime serioze mbi situatën e fondeve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD, duke theksuar se vendi përballet me pasoja të rënda pas akuzave për abuzim.

I ftuar në emisionin Studio24News24, Pilku u shpreh se Shqipëria ka potencial të madh në bujqësi, por nuk e ka shfrytëzuar siç duhet. “Kontributi i bujqësisë në GDP ka rënë në rreth 15%, çka tregon qartë dobësimin e sektorit,” theksoi ai.

Duke folur për hetimet mbi fondet IPARD, Pilku shpjegoi rolin e OLAF, si institucion që heton abuzimet me fondet evropiane. Sipas tij, gjetjet për Shqipërinë janë referuar në SPAK, ndërsa qeverisë i kërkohet kthimi i një shume të konsiderueshme.

Megjithatë, eksperti shprehu dyshime mbi vlerën prej 33 milionë eurosh të pretenduar nga OLAF. “Nëse kjo është e saktë, do të thotë se kemi abuzuar me rreth 45% të fondit, gjë që unë nuk e besoj plotësisht, edhe pse ka raste konkrete ku hetimet janë shumë të thelluara,” u shpreh ai.

Pilku theksoi se qeveria shqiptare duhet të zhvillojë negociata paralele me hetimet për IPARD 2, përpara se të mund të bëhet disbursimi i fondeve. Sipas tij, hapja e programit IPARD 3 është e pamundur pa përfundimin e procesit të IPARD 2 dhe pa një vendim përfundimtar mbi çështjen.

Ai paralajmëroi gjithashtu një proces të gjatë për rikthimin e besimit nga Bashkimi Evropian. “Kemi humbur besimin e Brukselit dhe duhet të kalojmë në riakreditim të plotë të institucioneve dhe strukturave operative, me procedura shumë më strikte,” tha Pilku.

Sipas vlerësimit të tij, i gjithë ky proces, nga përfundimi i hetimeve deri te riakreditimi dhe më pas hapja e IPARD 3, mund të zgjasë të paktën një vit nga momenti aktual.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×