“VETTING”/ Nga këshilltare e Malajt në drejtoreshë e Tatimeve, pse Erilinda Lala i dhuroi aksionet e “2D Construction 2025”! Roli i bashkëshortit

Historia me kompanitë e fshehura në emër të personave të tretë është një nga refrenet më të përsëritura në aferat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Një nga rastet që ngre dyshime për kalim aksionesh në mënyrë fiktive lidhet me drejtoreshën e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala. Emisioni vetting zbuloi se pasi ka themeluar kompaninë në vitin 2023 dhe ka siguruar një licencë për zbatime në punimet e ndërtimit, drejtoresha e tatimeve Erilinda Lala, me miratimin e bashkëshortit Taulant Godroli, në 16 dhjetor 2024 do t’i dhuronte aksionet e veta ortakes së saj Marsida Dedej, aksione me vlerë 100 mijë lekë ose 1 mijë euro.

Në shtator 2024, Erilinda Lala do të bëhej këshilltare e ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe sipas ligjit duhet të bënte deklarimin fillestar të pasurisë për të ilustruar pasuritë.

Më nëntor 2024, Lala do të largohej nga ky pozicion për t’iu bashkangjitur kabinetit të drejtorit të Tatimeve. Megjithatë, pas largimit nga ky funksion, drejtoresha e Tatimeve do t’ia dhuronte aksionet e kompanisë “2D Construction 2025” Marsida Dedejt, ku do të firmoste edhe bashkëshorti për miratimin e dhurimit. Në formularin e dytë për deklarimin e pasurisë pas largimit nga detyra, Lala nuk do të deklaronte se ishte aksionere te kjo kompani, pasi ligjërisht në nëntor 2024 ishte aksionere dhe ligji për deklarimin e pasurisë e kërkon që gjithmonë të bësh deklarimin e aksioneve.

Përpos kësaj, më 29 maj 2025, Lala do të kalonte drejtoreshë te Tatimet pa pasur statusin e nëpunësit civil, si drejtoreshë e komanduar. Fshehja e aksioneve, por edhe e dhurimit, gjë të cilën Lala e ka pasur mundësinë që ta rregullonte në maj 2025, pasi mori detyrën te Tatimet, duke u mjaftuar me një gjobë, ngre dyshime.

Pse do të fshihte pronësinë te kjo kompani drejtoresha e Tatimeve?

Nga dokumentet e siguruara prej “Vetting” rezulton se kompania “2D Construction 2025” ka marrë leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit për objektin në Qerret, për një kompleks me godina banimi deri ne 15 kate. Një projekt turistik në një zonë ku nuk gjendet asnjë godinë kaq e lartë, ku sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë lejohet ndërtimi deri në 6 kate.

Por cila është lidhja midis drejtoreshës së Tatimeve dhe ish-ortakes së saj Marsida Dedej?

Një ditë pasi do t’i dhuronte aksionet e saj Marsida Dedej, më 17 dhjetor 2024, bashkëshorti i Erilinda Lalas, Taulant Godroli, do të bënte pagesën për një gjobë të kësaj kompanie, e cila ishte e datës 16 dhjetor 2024. Në këtë rast, prej datës 16 dhjetor Erilinda Lala nuk ishte më aksionere dhe sipas kushteve të dhurimit të aksioneve, ajo apo bashkëshorti i saj nuk kishin asnjë detyrim ligjor për pagesat. Për më tepër, si mund të shkosh të paguash gjobën e një kompanie private, me të cilën nuk ke asnjë lidhje ligjore dhe kjo gjobë lidhet me Qendrën Kombëtare të Biznesit?

Pra, ka indicie të forta që shitja thjesht mund të jetë fiktive për të shmangur vëmendjen nga Prokuroria, por edhe agjencitë mediatike në fushën e investigimit. Konkretisht, Marsida Dedej është bashkëshortja e Drimon Dedej, hartues i bilanceve financiare për kompaninë “ECO-CLEANING” sh.p.k., ku Godroli ka qenë dhe është administrator.

Dyshimet përforcohen sepse, disa muaj pasi i dhuruan aksionet, Marsida Dedej do t’ia ndryshonte emrin kompanisë, duke humbur gjurmët, e cila do të fillonte edhe procedurat për të marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×