
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, ku në fokus të diskutimeve ishin Ligji i ri për Aksesueshmërinë dhe Plani Kombëtar i Veprimit 2026–2030, dy dokumente kyçe me qasje ndërsektoriale, të harmonizuara me standardet e BE-së që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe garantimin e të drejtave për këtë kategori.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Sala theksoi se mbështetja dhe fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara mbetet një prioritet i qartë i Qeverisë Shqiptare dhe një angazhim që buron jo vetëm nga detyrimi institucional, por edhe nga bindja se barazia dhe dinjiteti njerëzor janë themeli i një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
Ministrja Sala vlerësoi rolin e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm dialogu për të garantuar që politikat në këtë fushë të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme në praktikë – me parimin e qartë: askush të mos mbetet pas.
Duke u ndalur në Ligjin e ri për Aksesueshmërinë dhe rëndësinë e zbatimit të tij në praktikë, Ministrja Sala theksoi:
“Ligji i ri për Aksesueshmërinë nuk është thjesht një akt normativ. Ky ligj është një angazhim politik për barazi reale në akses ndaj shërbimeve, infrastrukturës, teknologjisë dhe jetës publike. Ai vendos standarde të qarta, përgjegjësi dhe mekanizma monitorimi. Por suksesi i tij kërkon bashkëpunimin e pushtetit vendor, institucioneve qendrore, biznesit dhe shoqërisë civile”.
Sa i takon Planit Kombëtar të Veprimit 2026–2030, Ministrja Sala theksoi se ky plan shënon një hap të rëndësishëm drejt kalimit nga garantimi formal i të drejtave tek ushtrimi real i tyre në jetën e përditshme, duke u fokusuar në jetesën e pavarur, përfshirjen në arsim, punësim, drejtësi dhe vendimmarrje politike.
Në këtë kuadër, ajo u ndal edhe tek përfshirja politike e personave me aftësi të kufizuara, duke vlerësuar si një arritje konkrete përdorimin e fletës së votimit në alfabetin Braille, që mundëson votim të pavarur për personat që nuk shohin, ndërsa theksoi se mbetet ende e nevojshme plotësimi i kuadrit ligjor në Kodin Zgjedhor, për të garantuar forma alternative votimi.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar parashtuan propozimet dhe rekomandimet e tyre, të fokusuara në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin efektiv të tij në praktikë, për të cilat po punohet për t’i reflektuar në politikat dhe instrumentet konkrete zbatuese, në bashkëpunim dhe me institucionet e tjera përgjegjëse.
and then