“Marzh i kontrolluar fitimi mbi karburantet”, Ibrahimaj: Nuk jemi në nivelin për ndërhyrje në taksim

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se tregu i hidrokarbureve dhe ushqimeve në vend po monitorohet çdo ditë nga një grup ekspertësh i ngritur nga tre ministri, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe garantimin e stabilitetit. Gjatë një takimi me furnizuesit e naftës, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, si dhe ministrat Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj, Ibrahimaj theksoi se shqetësimi kryesor në fillim ishte siguria e furnizimit, sidomos pas zhvillimeve që lidhen me bllokimin e Kanalit të Hormuzit.

Sipas saj, verifikimet në terren dhe komunikimi me operatorët tregojnë se rezervat ligjore të karburanteve janë të garantuara dhe se kontratat afatgjata të furnizimit shmangin varësinë direkte nga kjo zonë kritike.Një tjetër shqetësim mbetet niveli i çmimeve. Ministrja bëri të ditur se po analizohet në mënyrë të vazhdueshme ecuria e tyre, për të parandaluar çdo rritje abuzive si në tregun e karburanteve, ashtu edhe në atë të produkteve ushqimore.

Ajo solli në vëmendje se në bursat ndërkombëtare çmimet e karburanteve kanë pësuar luhatje të forta, duke u rritur nga rreth 700 dollarë në shkurt në deri 1200 dollarë së fundmi, ndërsa në Shqipëri rritja ka qenë më e kufizuar, në nivelin 10–15%. Duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, Ibrahimaj u ndal edhe te mundësia e rikthimit të Bordit të Transparencës, por theksoi se aktualisht nuk ka kushte për aktivizimin e tij. Megjithatë, ajo paralajmëroi ndërhyrje në rast se evidentohen abuzime me marzhet e fitimit.

“Po monitorojmë çdo ditë çmimin e zhdoganimit dhe atë të shitjes me pakicë. Marzhi ka qenë mesatarisht rreth 8.5%, më i ulët se niveli normal i operimit të kompanive, çka tregon se rritja e çmimeve nuk është reflektuar në rritje të fitimeve,” u shpreh ministrja.

Paralelisht, sipas saj, po ndiqen nga afër edhe çmimet e produkteve bazë ushqimore, ku janë identifikuar rreth 70% e artikujve të shportës dhe nuk janë konstatuar luhatje të nxitura nga sjellje abuzive. Në lidhje me kërkesat e industrisë së hidrokarbureve, Ibrahimaj bëri të ditur se propozimet kryesore kanë të bëjnë me ndryshimin e taksës së qarkullimit, e cila në Shqipëri aplikohet për litër. Megjithatë, ajo theksoi se me ritmin aktual të rritjes së çmimeve nuk ka nevojë për ndërhyrje në nivelin e taksimit.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se situata e çmimeve nuk ka pasur ndikim negativ në kursin e këmbimit, i cili mbetet i qëndrueshëm si për euron ashtu edhe për dollarin. Në përfundim, Ibrahimaj garantoi se monitorimi i tregut do të vijojë çdo ditë, me transparencë të plotë dhe informim të vazhdueshëm për publikun.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×