
Një skemë e vazhdueshme presioni dhe dhune ndaj një të mituri ka çuar në dënimin e një 21-vjeçari shqiptar në Itali, i cili u shpall fajtor për grabitje dhe kërcënime. Sipas vendimit të gjykatës, i riu është dënuar me 3 vite e 8 muaj burg, pas një gjykimi të përshpejtuar. Hetimet zbuluan se ai, së bashku me disa bashkëpunëtorë, kishin shënjestruar një 14-vjeçar, duke e detyruar për muaj me radhë t’u jepte para nën kërcënim.
Ngjarjet janë regjistruar mes shtatorit 2024 dhe prillit 2025 në Borgo San Lorenzo, ku i pandehuri ndodhej në arrest shtëpie deri në shpalljen e vendimit.
Sipas dëshmive, i mituri ndalohej shpesh në rrugë dhe kërcënohej me dhunë fizike nëse nuk jepte para. Edhe pse shumat ishin të vogla – nga disa monedha deri në 15 euro – në total dyshohet se grupi i ka marrë rreth 200 euro.
Frika bëri që 14-vjeçari të mos tregonte asgjë në familje për një kohë të gjatë. Ai vendosi të flasë vetëm më 26 prill 2025, pasi 21-vjeçari dyshohet se i mori me forcë portofolin.
Pas kësaj, babai i të miturit ndërhyri për ta mbrojtur, por sipas hetimeve, u sulmua nga grupi me shkopinj. Falë dëshmive dhe identifikimeve përmes fotografive, autoritetet arritën të zbardhin ngjarjen dhe të identifikojnë të përfshirët. Përveç 21-vjeçarit, në hetim janë përfshirë edhe tre të rinj të tjerë, të moshës 16 dhe 17 vjeç në kohën e ngjarjes.
and then