Noka e akuzoi për lidhje me bandën e Elbasanit/ “Nëse e dinte pse më dërgoi drejtues politik atje?” Salianji: Idiotësi, pjesë e mentalitetit autoritar!

Ish-deputeti Ervin Salianji, ka reaguar ndaj akuzave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, sipas të cilave takimet e tij me demokratët në qytete të ndryshme janë organizuar nga krimi i organizuar.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Salianji i cilësoi këto pretendime si të pabaza dhe një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga problemet reale brenda partisë.

Ai ngriti pyetjen se përse, nëse do të ekzistonin lidhje të tilla, ishte caktuar më herët drejtues politik në Elbasan. “Nëse ky zotëria ka ditur që unë kam lidhjen me bandat kriminale të Elbasanit, pse më ka çuar drejtues politik në Elbasan? Që të përdor krimin që të fitojë PD? Tani këtu ka një… së pari kjo është akuzë si të them unë që këta janë pasardhës të Al Kapones, janë kushërinj të Pol Pot, etj”, u shpreh ai.

Salianji i quajti akuzat “idiotësi”, duke i krahasuar me etiketime absurde dhe pa asnjë bazë, ndërsa theksoi se vetë ka ndërmarrë iniciativa parlamentare kundër krimit të organizuar, duke thirrur në interpelancë dy ministra të Brendshëm për çështje që lidhen me bandat në Elbasan.

Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për organizimin e takimeve të tij nga elementë kriminalë në qytete të tjera si Korça dhe Durrësi, duke theksuar se organizatorët janë anëtarë dhe funksionarë të Partisë Demokratike.

Në këtë kuadër, Salianji sfidoi publikisht drejtuesit e PD-së që të përballen me fakte konkrete: “Jam i gatshëm të identifikoj të gjithë njerëzit në takimet e mia dhe funksionet e tyre në PD. Le të bëjmë një verifikim publik”.

Sipas tij, këto akuza janë pjesë e një “mentaliteti autoritar”, që synon të dekurajojë debatet e brendshme dhe të largojë vëmendjen nga çështjet thelbësore në parti.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×