Raporti i Freedom House/ “Problem, korrupsioni dhe ryshfeti”, PD: Shqipëria zyrtarisht në autokraci, përgjegjës Rama! 22 marsi thirrje për të gjithë

Partia Demoktratike ka reaguar në lidhje me raportin e Freedom House, që ngre shqetësimin për nivelin e korrupsionit dhe ryshfetin në vend. Në reagimin e PD-së, theksohet se Shqipëria është zyrtarisht në autokraci, duke shtuar se përgjegjës është kryeministri Edi Rama.

Deklarata e Partisë Demokratike

Raporti i fundit i “Varieties of Democracy Institute” i jep Shqipërisë një damkë të rëndë ndërkombëtare: klasifikimin si autokraci elektorale, pra një vend ku nuk mbahen zgjedhje të lira!
Kjo nuk është retorikë politike: Është vlerësim shkencor, i pavarur dhe i njohur globalisht, që konfirmon atë që Partia Demokratike thekson prej kohësh, që shtatë rezoluta ndërkombëtare bashkë me raportin e OSBE-ODHIR pohojnë qartë, dhe që shqiptarët provojnë në kurriz prej një dekade.
Demokracia në Shqipëri, bazuar në përfundimet e Institutit suedez, është zbrazur nga përmbajtja dhe është shndërruar në fasadë.
I rëndë është fakti se, në rajonin e Ballkanit, Shqipëria renditet ndër vendet më problematike përsa i përket demokracisë, duke mbetur pas shumicës dërrmuese të fqinjëve të saj. Ndërsa vende si Kosova, Kroacia, Greqia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania klasifikohen si demokraci elektorale, Shqipëria bie në kategorinë e autokracive, në nivel me Bosnjën, Serbinë dhe Turqinë.
Ky është një regres i papranueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për në Bashkimin Evropian.
Raporti evidenton qartë arsyet: zgjedhje që nuk janë as të lira dhe as të ndershme, përqendrim ekstrem i pushtetit, kontroll mbi drejtësinë, presion mbi mediat dhe përdorim i administratës publike për qëllime politike.
Ky është modeli i ndërtuar nga Edi Rama: një sistem ku vota ekziston, por nuk vendos; ku institucionet kanë emër, por nuk funksionojnë; ku ligji shkruhet, por zbatohet selektivisht.
Shqipëria sot është një demokraci në letër dhe autokraci në praktikë.
Ky realitet nuk mund të relativizohet dhe as të maskohet me propagandë. Ai ka pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e vendit, për integrimin evropian, dhe për besimin e qytetarëve te shteti.
Edi Rama e ka futur Shqipërinë në një kurs përplasjeje me aspiratat kombëtare, në një rrugë pa krye nga e cila nuk dilet me propagandë dhe as me forcë. Nga ky udhëkryq dilet vetëm duke larguar Edi Ramën, një orë e më parë.
Fatet e vendit nuk mund të lihen në duart e ajatollahut të Tiranës. Protesta kombëtare e 22 marsit është një thirrje për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve, për ta ndalur rrëshqitjen e vendit në humnerën prej së cilës doli më 22 mars 1992.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×