Spektakël i Barçës, “çmonton” Newcastle me 7 gola, tani sfidon Atletico Madrid

Me një spektakël të vërtetë ofensivë, me 7 gola të shënuar, Barcelona siguron një biletë për në fazën çerekfinale të Champions League. Ekipi i Hansi Flick ishte në një mbrëmje magjike përballë Newcastle, pas X 1-1 në Angli, në “Camp Nou” triumfuan 7-2 duke argëtuar tifozët e pranishëm. Raphinha dhe Lewandowski ishin dy nga protagonistët kryesorë të kësaj mbrëmje duke realizuar nga një “dopietë” për kokë.

Në zbritjen e parë në sulm, që në minutën e 6-të, Raphinha realizoi një gol shumë të bukur duke ndezur stadiumin. Newcastle besoi realisht në këtë takim, kjo falë edhe Elanga-s, me sulmuesin suedez që në minutën e 15-të riktheu baraspeshën. Festa nuk zgjati shumë pasi tre minuta më vonë ishte Bernal që shumë pranë vijës fatale dërgoi topin në rrjetë. Për të rikthyer edhe një herë anglezët në lojë mendoi sërish Elanga. “Qymyrxhinjtë” me një zbritje thuajse fotokopje në sulm barazuan rezultatin në 2-2 në minutën e 28-të. Spektakli nuk kishte fundit, pasi pjesa e parë dhuroi një tjetër gol. Në limite, Raphinha fitoi një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë, Lamine Yamal u tregua i saktë duke dërguar shifrat në 3-2.

Barça e nisi në sulm edhe fraksionin e dytë, ku fillimisht ishte Fermin që gjeti rrugën e rrjetës, ndërsa më pas stafetën e mori Robert Lewandowski. “Bomberi” polak realizoi një “dopietë” golash brenda pak minutash duke dërguar shifrat në 6-2. Pjesa e mbetur e sfidës prodhoi një tjetër gol, me Raphinha që kompletoi “dopietën” e tij personale dhe golin e 7-të për Barcelonën. Ekipi i Hansi Flick siguron me spektakël një biletë për në fazën çerekfinale aty ku do të përballet me Atletico Madrid.

I kënaqur me lojën e ekipit të tij, mbi të gjitha në pjesën e dytë, u shfaq trajneri Hansi Flick: “Ishte një ndeshje e çmendur. Besoj se nuk ishim brilant në pjesën e parë, por në të dytën ishim shumë më mirë. Lewandowski? Jam shumë i lumtur për të që arriti të shënojë dy gola. Në këto ndeshje ai është i papërmbajtshëm. Ai është sulmuesi më i mirë në botë brenda në zonë”, u shpreh Hansi Flick.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×