
Detaje të reja janë zbardhur nga Policia e Shtetit në lidhje me rastin e zbulimit të një sasie të madhe kanabisi në zonën e Peqinit, ku është finalizuar operacioni i koduar “Kurtaj”.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Krimet në Volum në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, në kuadër të goditjes së kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj, shërbimet e Policisë zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e kanabisit me anë të llambave. Në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan rreth 4 mijë bimë kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ambienti është në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Po ashtu, në kuadër të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Njoftimi i policisë:
Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj” për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.
Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.
Shpallet në kërkim pronari i ambientit.
Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.
Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.
Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.
Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
and then