
Qeveritë e Italisë, Spanjës por edhe ajo e Serbisë morën masa të menjëhershme për të zbutur efektet e rritjes së çmimit të naftës, ndërsa qeveria shqiptare ende nuk ka vendosur të veprojë, në një kohë kur çmimi i naftës rritet orë pas ore, duke shkuar deri në 217 lekë për litër.
Gjatë takimit me furnizuesit e naftës, Edi Rama mohoi kategorikisht çdo rishikim të taksave të karburanteve, çdo kompensim për qytetarët dhe ngritjen e Bordit të Transparencës. Megjithatë, disa burime bëjnë me dije se qeveria po planifikon të marrë masa, por deri tani nuk ka asgjë konkrete.
Sipas burimeve për News24, qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës, i cili do të caktojë çmime tavan për hidrokarburet dhe të ulë akcizën.
Tre ditë më parë, gjatë takimit me grosistët, përfaqësuesit e qeverisë argumentuan se rikthimi i Bordit të Transparencës nuk ishte i nevojshëm, pasi që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve ishte konsideruar “e moderuar”.
Ndërkohë, kërkesa për rishikimin e taksave u bë nga Konfindustria, e cila theksoi se çdo litër nafte mbart katër taksa: akcizën, TVSH-në, taksën e karbonit dhe taksën e qarkullimit.
Për herë të parë, Bordi i Transparencës u ngrit gjatë krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, duke vendosur çmime tavan për naftën dhe nënproduktet e saj, me synimin për të frenuar abuzimet në tregun e hidrokarbureve. Por duket se edhe këtë herë, si shpesh më parë, qeveria shqiptare reagon më shumë nën presionin e zhvillimeve të jashtme sesa duke adresuar në kohë nevojat e qytetarëve dhe të grupeve të interesit vendas.
and then