
Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme dhe operacione psikologjike.
Shqipëria përmendet drejtpërdrejt në këtë aksion, pasi institucionet e saj kishin qenë më herët shënjestër e sulmeve dhe publikimit të të dhënave nga i njëjti rrjet. Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se domenet e sekuestruara – Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to – ishin të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS). Këto platforma janë përdorur për sulme kibernetike, shpërndarje të të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian.
Sipas autoriteteve amerikane, këto faqe shërbenin edhe si mjete për operacione psikologjike, duke përdorur të dhënat e vjedhura përmes hakerimit.
“Shpërndarja e ideologjisë terroriste në hapësirën kibernetike është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare. Zyra e Prokurorit të SHBA-së është e përkushtuar të bashkëpunojë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të identifikuar kërcënimet, për t’i çaktivizuar dhe për t’i ndëshkuar autorët e tyre”, tha Kelly O. Hayes, prokurore e SHBA-së për Distriktin e Merillendit.
Hetimet e FBI-së zbuluan se rrjeti nuk kufizohej vetëm në publikime online. Një adresë emaili e lidhur me këtë grup dërgonte edhe kërcënime direkte me vdekje ndaj gazetarëve dhe disidentëve iranianë në SHBA dhe vende të tjera. Në një nga mesazhet, autorët pretendonin bashkëpunim me një kartel meksikan, duke ofruar shpërblime deri në 250 mijë dollarë për vrasjen e objektivave të tyre.
Shqipëria në shënjestër për shkak të opozitës iraniane
Autoritetet amerikane konfirmuan se dy nga domenet e sekuestruara janë përdorur për të publikuar dokumente të vjedhura nga institucionet shtetërore shqiptare. Sulmet ndaj Shqipërisë besohet se lidhen drejtpërdrejt me qëndrimin e saj ndaj grupit opozitar iranian Mujahedeen e-Khalq (MEK), i cili është strehuar në territorin shqiptar dhe ka bërë thirrje për rrëzimin e regjimit në Teheran.
Përndryshe, këtë javë, Shqipëria e shpalli Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”. FBI-ja bëri të ditur se hetimet vazhdojnë dhe paralajmëroi se të gjithë personat e përfshirë në këto aktivitete, do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë. Në kuadër të përpjekjeve për të luftuar sulmet kibernetike, Departamenti amerikan i Shtetit shpalli edhe një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin e personave të përfshirë në sulme ndaj infrastrukturës kritike amerikane.
and then