
Policia Bashkiake, nën drejtimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, ka ndërmarrë një aksion të menjëhershëm në zonën e ish-Bllokut për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga disa biznese. Gjatë kontrollit në terren, u konstatua se subjekte të ndryshme kishin zaptuar hapësirat publike duke vendosur karrige, tavolina dhe elementë të tjerë pa respektuar rregullat dhe kufijtë e përcaktuar. Si pasojë, strukturat e Bashkisë së Tiranës ndërhynë menjëherë duke i hequr dhe sekuestruar këto pajisje.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj theksoi se hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo të zihen në mënyrë abuzive nga subjekte të caktuara.
“Sot ne kemi filluar një aksion në të gjithë Tiranën ku do të shikojmë të gjithë ata të cilët kanë abuzuar me hapësirat publike. Ne jemi të gjithë pro biznesit pro zhvillimit të qytetit tonë por duam që të gjithë te jenë me kushte të barabarta. Në rast se do të gjejmë shkelës të cilët nuk paguajnë hapësirën që zënë, policia bashkia do të marrë karriget dhe tavolinat e të gjithë objektet që ata kanë vendosur mbi këtë hapësirë publike. Hapësirat publike janë të qytetarëve të Tiranës dhe të të gjithë të tjerëve të cilët duam të jetojmë të gjithë bashkë në këtë qytet. Ju bëjnë thirrje të gjithë bizneseve të cilat duhet të kenë shumë kujdes me shfrytëzimin e pa masë të hapësirave publike. U themi të gjithë qytetarëve të na adresohen në rast se shikojnë që ka abuzime të mëdha me zënien e hapësirave publike” u shpreh Sulaj.
Nga ana e saj, drejtoresha e policisë Bashkiake Elona Lalaj tha se do të ketë kontrolle në vijimësi për çdo biznes apo individ që zë hapësirën publike. Lalaj theksoi se kontrollet do të shtrihen nga rrugët urbane deri në rrugicat e lagjeve.
“Gjatë kësaj periudhe të gjitha strukturat e Bashkisë së Tiranës kanë pasur një vëmendje të shtuar duke intensifikuar përditë kontrollet në subjekte të ndryshme në territorin e Tiranës. Ka tejkalime dhe abuzime për sa i përket këtyre hapësirave publike nga shumë biznese. Të respektohen në maksimum hapësirat e përcaktuara për të cilat ata tariforen. Çdo biznes apo individ që zë hapësirën publike, do të ketë kontrolle në vijimësi. Kontrollet do të intensifikohen në çdo rrugë urbane, nëpër rrugicat e lagjeve, lidhur me abuzimet dhe zënien e këtyre hapësirave, qoftë me karrige e tavolina nga subjekte apo qoftë edhe me sende të paligjshme të cilat shpesh vendosen për parkingje makinash, duke ruajtur pjesën e përparme të subjekteve të cilët për të vendosur ata makinat e klientëve të tyre”, deklaroi Lalaj.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon në të gjithë kryeqytetin për të parandaluar zaptimin e tyre nga subjekte të ndryshme.
and then