“Kryengritje paqësore mes molotovëve”, DW për protestën e opozitës: Pa një skenar të qartë, por me të njëjtat mjete dhe retorikë! Mesazhet që u përcollën përmes simbolikës

Pa një skenar të qartë, por me të njëjtat mjete dhe retorikë, opozita shqiptare u rikthye në protestë këtë të diel, më 22 mars, në Tiranë.

“Kjo do të jetë kryengritja paqësore e shqiptarëve” – e cilësoi tubimin kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Megjithatë, protesta që zgjati rreth tre orë u shoqërua me molotovë, fishekzjarre, gaz lotsjellës dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Gjatë protestës nuk pati fjalime, por u përsëritën thirrjet për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Marshuesit kaluan përpara disa prej institucioneve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Kryeministria dhe duke vijuar drejt Ministrisë së Infrastrukturës, selisë së Partisë Socialiste dhe Parlamentit. Vetëm pak minuta pasi protestuesit mbërritën pranë Kryeministrisë, nisën përplasjet e para.

Një pjesë e protestuesve hodhën molotovë dhe mjete piroteknike drejt godinave institucionale, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës. Pesë efektivë policie mbetën të plagosur dhe u dërguan në Spitalin e Traumës.

Mesazhe përmes simbolikës
Flamujt amerikanë, të pranishëm në protestat e mëparshme të opozitës, munguan këtë të diel. Në krye të marshimit, pankartave dhe flamujve të Partisë Demokratike, u panë flamuri i Bashkimit Evropian dhe ai i Gjermanisë. Një ndryshim i dukshëm, që vjen në një moment kur opozita ka shtuar akuzat ndaj qeverisë për bllokimin e procesit të integrimit evropian. Në daljet e tij të fundit, Berisha ka deklaruar se disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, kanë ngritur pikëpyetje për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, pas zhvillimeve të fundit politike në vend. Opozita e lidh këtë me refuzimin për heqjen e imunitetit të ish- zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ndërkaq, edhe data e protestës mbart një simbolikë të veçantë politike. 22 marsi përkon me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992, pas rënies së komunizmit, një referencë që opozita e përdor për mobilizim politik.

Në përfundim të protestës, nga selia e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se “beteja do të vijojë”. “Nuk ka paqe me Edi Ramën, vetëm betejë. Do të vijojmë deri në fitoren e plotë që t’i shporrim këta kusarë” – tha Berisha./DW



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×