”Ndalimi i luftimeve SHBA-Iran stabilizon tregjet”, eksperti Zef Preçi: Pse çmimi i naftës në Shqipëri nuk pritet të ulet!

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka komentuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim dhe nisje bisedimesh me Iranin, duke theksuar se kjo është një sinjal pozitiv për stabilitetin ekonomik global.

I ftuar në studion e News24, Preçi u shpreh se ulja e tensioneve mund të krijojë kushte për stabilizimin e tregjeve dhe rritje ekonomike, por paralajmëroi se situata në tregun shqiptar të karburanteve mbetet problematike.

Sipas tij, ndryshe nga pritshmëritë, në Shqipëri nuk mund të thuhet se do të ketë ulje të çmimit të naftës, edhe pas zhvillimeve pozitive ndërkombëtare. “Pres që të paktën çmimi të mos rritet më tej”, u shpreh ai.

Eksperti theksoi se tregu vendas ka probleme strukturore, duke përmendur përqendrimin e lartë në pak kompani, mungesën e rregullimit efektiv dhe mosrespektimin e rezervave të sigurisë nga operatorët.

Ai nënvizoi se në treg veprojnë tre aktorë kryesorë – qeveria, biznesi dhe konsumatori – dhe nëse mungon balanca mes tyre, rritja e çmimeve favorizon vetëm të parët, ndërsa dëmton qytetarët.

“Qeveria dhe biznesi përfitojnë nga rritja e çmimeve, ndërsa konsumatori varfërohet dhe ulet konsumi”, tha Preçi, duke e cilësuar këtë si tregues të problemeve serioze strukturore në ekonomi.

Preçi theksoi gjithashtu se ndikimi i bursave ndërkombëtare në Shqipëri është i kufizuar, pasi vendi furnizohet kryesisht nga tregje si Azerbajxhani dhe Kazakistani. Sipas tij, rritjet e fundit të çmimeve lidhen më shumë me panikun dhe spekulimet në treg sesa me efekt real të bursës.

Ai u ndal edhe te propozimet për uljen e akcizës, duke theksuar se një masë e tillë ka pak gjasa të ndikojë në uljen e çmimeve për konsumatorët, pasi mund të përkthehet vetëm në rritje të fitimeve për kompanitë.

Në përfundim, Preçi theksoi se mungesa e rezervave të detyrueshme dhe toleranca ndaj abuzimeve në treg bëjnë që çdo luhatje të përkthehet menjëherë në rritje çmimesh, duke rënduar më tej xhepin e qytetarëve.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×