
Gjykata e Posaçme përmes një vendimi të firmosur më 19 mars ka lejuar SPAK të kqyrë të gjithë celularët dhe pajisjet kompjuterike të sekuestruara në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-zëvendës kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, prokurorët e posaçëm i janë drejtuar gjykatës për të lejuar zbërthimin e të gjitha pajisjeve, që u janë marrë si personave nën hetim, sikurse janë ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe ish- administratori i KESH Erald Elezi, por edhe të atyre në dijeni në mesin e të cilëve janë edhe disa biznesmenë si Ilir Shtufi i kompanise NOVA Construction, Arbër Abazi i kompanise ALCO Impex si dhe pronaret e kompanive 2T dhe Senka Shpk.
Më herët zbërthimi i celularëve bëhej pa marrë miratimin e gjykatës, por nisur nga vendimi i Kushtetuese, u hap dhe praktika e re që prokurorët e SPAK janë të detyruar të kalojnë në çdo rast filtrin e gjykatës.
Në rastin konkret, pasi ka marrë kërkesën e SPAK për të lejuar hapjen dhe aksesimin e pajisjeve, gjyqtari Erjon Cela ka njoftuar palët dhe ka pranuar prapësimet e avokatëve te personave nen hetim dhe dijeni, të cilët përmes memove kanë kërkuar që të lejohet kqyrja e pajisjeve dhe marrja e të dhënave që lidhen me çështjen hetimore ndaj ish numrit dy të qeverisë.
Gjykatësi Erjon Çela pasi e ka shqyrtuar cështjen ka miratuar marrjen e të gjitha të dhënave, duke argumentuar se janë të dhëna me interes për hetimin. Të dhënat që do të nxirren nga telefonët apo laptopët do të analizohen në harmoni me të dhënat e tjera të dosjes Balluku. Ish-zv.kryeministrja po hetohet për paracaktim të procedurave tenderuese të rrugëve në vlera miliona euro.
Gjatë kqyrjes së telefonëve të Ervis Berberit, ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i besuar i Ballukut janë zbuluar mesazhe që sipas SPAK tregojnë se Balluku, ka ndikuar në paracaktimin e kompanive fituese për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Po ndërsa Erjon Çela i ka ndezur dritën jeshile SPAK në drejtim të hetimeve, me shumë interes pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Berberit, i cili kërkon papërdorshmërinë e të dhënave që janë siguruar nga kqyrja e telefonëve të tij celularë.
Shpallja e vendimit për këtë çështje nga Kushtetuesja u shty për shkak se një prej anëtarëve të saj ndodhej jashtë vendim. Seanca e radhës pritet të zhvillohet me datë 26 mars e me gjasë do të ketë edhe një vendim lidhur më këtë çështje, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në hetimet për dosjen Balluku.
and then