“Do të marr vendim në konsultim me grupin”/ Spiropali i përgjigjet Ballës për mungesën në seancën për Ballukun: Thirre mbledhjen dhe zhvillojmë një diskutim të plotë

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me një deklaratë nga Taulant Balla mbi mungesën e saj në seancën parlamentare për dhënien e autorizimit apo jo SPAK-ut për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Reagimi i saj vjen pas një deklarate të Ballës, i cili u shpreh se “do të marr një vendim në konsultim me grupin parlamentar”, kur u pyet në lidhje me mungesën e Spiropalit në votimin për dhënien ose jo të autorizimit për SPAK.

Në mesazhin e saj, Spiropali i drejtohet kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duke theksuar rëndësinë e konsultimit dhe vendimmarrjes së përbashkët:

“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.”

Ajo nënvizoi se vendimmarrja kolektive është një element kyç për funksionimin e grupit parlamentar të PS-së dhe për legjitimitetin politik të vendimeve:

“Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.”

Në përfundim, Spiropali theksoi rëndësinë e përgjegjësisë ndaj publikut në çdo vendim politik:

“Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.”



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×