
Eksperti i integrimit europian Gledis Gjipali ka deklaruar se Shqipëria ndodhet aktualisht në fazën më intensive të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, atë të negociatave dhe zbatimit të reformave.
I ftuar në studion e News24, Gjipali u shpreh se pas disa viteve vonesa, vendi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe tashmë është përqendruar në përmbushjen e kushteve për mbylljen e tyre.
Sipas tij, disa kapituj mund të mbyllen në një afat të afërt, veçanërisht ata me më pak legjislacion europian, nëse miratohet raporti IBAR. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ka bërë progres në politikën e jashtme, falë harmonizimit të hershëm me standardet e BE-së.
Gjipali vlerësoi rolin e Gjermanisë si donatori kryesor i integrimit të Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, duke kujtuar edhe iniciativën e Procesit të Berlinit. Megjithatë, ai nënvizoi se ky mbështetje shoqërohet edhe me kërkesa më të larta për standarde demokratike dhe performancë.
Eksperti theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030 mbetet sfidues, duke kërkuar një rritje të ndjeshme të ritmit të reformave.
“Me ritmin aktual, nuk pritet një raport shumë pozitiv nga Komisioni Europian për këtë vit,” paralajmëroi ai.
Gjipali u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si “thembrën e Akilit” për Shqipërinë. Sipas tij, ndonëse reforma në drejtësi ka sjellë institucione të reja dhe disa rezultate, kërkohen më shumë raste konkrete dhe zbatim më i fortë i ligjit.
Ai solli si shembuj pozitivë Kroacia dhe Rumania, ku lufta kundër korrupsionit ka ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e procesit të integrimit europian.
and then