
Rritja e çmimit të karburantit ka ndikuar drejtpërdrejt tek fermerët dhe drejtuesit e mjeteve bujqësore në juglindje të vendit, duke i vendosur shumë prej tyre përballë vështirësive të mëdha ekonomike.
Në zonën e Sheqerasit në Maliq, fermerët tregojnë një situatë të rënduar ku shumë mjete bujqësore kanë mbetur të parkuara nëpër oborre, duke pezulluar aktivitetin e punës.
Një numër i konsiderueshëm traktoristësh kanë vendosur të mos dalin më në punë, pasi kostoja e lartë e naftës nuk u lejon të sigurojnë fitim. Sipas Tomorr Prrenjasit, çmimet kanë arritur në një nivel që e bën të pamundur vazhdimin e aktivitetit.
“Shumë mirë, të rritet më shumë, me kaq jemi të kënaqur. Të vejë me 5 mijë lek (të vjetra), të ngordhim fare, të ikim prej Shqipërie. S’ka më, të vdekur jemi. Të ikim fare, ti shesim e këto që kemi, me kombanja, me fadroma, makina. Gruri nuk shitet, elbi jo, çdo bëjmë? Ne tani do rrimë, ku të dalim? Me këtë çmim nuk na leverdis fare. Me sa do ta shesim prodhimin, me 300 lek (të vjetra)? Ta marr naftën me 2 mijë lek (të vjetra) e të shes grurin me 300 lek (të vjetra)? Ka shtet apo s’ka shtet? Asnjë nuk shkon në punë se nuk kanë lek njerëzit të marrin nitratin, naftën, çdo gjë fillon me naftën. Le të rrinë të pasurit këtu, ne do ikim. Plehrat rriten, nafta po, çfarë do bëjmë? Do vdesim? Do ikim!”, tha ai.
Disa fermerë të tjerë kanë ndërmarrë hapa edhe më drastikë, duke i nxjerrë jashtë përdorimit traktorët dhe pajisjet e tjera bujqësore. Ilirjan Limka shprehet se nuk ka më mundësi të punojë, pasi të ardhurat nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet bazë.
“Nuk dalim në punë, nuk na del as për veten tonë jo më për bashkëfshatarët se punojmë dhe për ta. Unë me këtë ha bukë, këto të ardhura kam, as pension asgjë s’kam. Qeveria duhet të vejë dorën në zemër, kemi fëmijë të vegjël me probleme. Jemi 100% pa mbështetje, na kanë hedhur këtu ku kemi rënë. Jemi të pashpresë. Siç dëgjojmë edhe ne që do shtrenjtohet më shumë, ku do shkojmë më? Le ta bëjnë naftën me 10 mijë lek (të vjetra) dhe të ikim që këtu. Mjetet i kam parkuar në oborr, nuk do i nxjerr. Është rritur çdo gjë gati dyfishin e çmimit, i bëj thirrje kryeministrit të vejë dorën në zemër e të bëjë siç bën gjithë Europa dhe Ballkani. Ja ku i kemi këta komshinjtë (Greqinë), ju kanë dhënë lek dhe nuk e ndjejnë çmimin. Atje 1900 lek (të vjetra), këtu 2200 lek (të vjetra) e kushedi sa do shkojë.”, tha ai.
Në këto kushte, disa prej tyre janë detyruar t’u rikthehen metodave tradicionale të punës. Mirdash Ocka tregon se ka zgjedhur të përdorë kalin në vend të traktorit, për shkak të kostos së papërballueshme të karburantit.
“Asgjë nuk bëhet. Dje i hodha traktorit dhe bëra vetëm dy bahçe. Nafta me 2100 lek (të vjetra), nuk ke leverdi fare, edhe mjetin tënd të kesh s’ke leverdi. Dje vajta në dy shokë, punova dy bahçe dhe ato lek që më dhanë, ja hodha zetorit dhe s’më ngeli asnjë lek në xhep. I bie që të mos e nxjerrësh zetorin fare, unë kështu do bëj. Kam kalin dhe do përdor atë. Do i rikthehem metodave të vjetra. Këtu po u ngrit çmimi se pastaj për tu ulur, nuk ulet më, nuk bëhet fjalë.”, u shpreh Ocka.
Ka edhe fermerë që vazhdojnë aktivitetin me mjete bujqësore, jo për shkak të përfitimit, por sepse ndodhen në kulmin e sezonit të mbjelljeve pranverore. Sipas Demir Zholanjit, kjo periudhë është vendimtare për bujqësinë dhe ndërprerja e punës tani do të sillte humbje të gjithë vitit.
“Tani është fushatë, do s’do, do punosh se s’bën. Qeveria duhet të mendojë, na zuri në momentin më të vështirë që është periudha e mbjelljes së pranverës. Të gjitha produktet janë rritur, farat, plehrat, ureja ka vajtur mbi 60 lek (të vjetra) dhe nitrati mbi 50 lek (të vjetra). Na dëmton shumë kjo situatë. Ti kthehemi metodave të vjetra? A punohet dot me kazmë? Të punosh me kalë tani? Me vështirësi do punojmë por shteti duhet të mendojë.”, tha ai.
E teksa në vende të tjera fermerët mbështeten përmes subvencioneve dhe politikave lehtësuese për të përballuar rritjen e çmimeve, në Shqipëri ata shprehen se ndihen të lënë pas dore.
Kujtojmë se në qarkun e Korçës numërohen mbi 4814 mjete bujqësore, përfshirë traktorë dhe makina mbjellëse, ku pjesa më e madhe operon në zonën e Maliqit.
and then