
Vendimi për përjashtimin e dy anëtarëve demokratë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, ka sjellë reagime të forta nga të dy, të cilët kishin dalë në mbështetje të Ervin Salianjit.
Në një reagim publik, Burgija e cilëson përjashtimin si një akt “absurd, arrogant dhe të paburrë”, duke theksuar se kontributi i tij në PD ka qenë i gjatë dhe i vazhdueshëm, që nga rinia dhe në momente të vështira për partinë. Ai shprehet se ky vendim synon të shtypë zërat kritikë ndaj lidershipit.
“Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore,” shkruan Burgija, duke shtuar se reagimi i drejtuesve ndaj kritikëve është “shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi”.
Ai thekson se përjashtimi nuk ka bazë statutore dhe është shenjë frike nga mendimi ndryshe. “Ky nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta,” shprehet ai, duke garantuar se do të vijojë të mbetet besnik ndaj bindjeve dhe vlerave demokratike.
Në të njëjtën linjë reagimi, edhe Boshku e cilëson vendimin si të padrejtë, duke deklaruar se arsyeja e përjashtimit, një takim me Salianjin, është vetëm një pretekst. Sipas tij, prej muajsh ai dhe të tjerë kanë kërkuar reflektim për humbjet dhe vendosjen e meritokracisë brenda partisë.
“Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private, pa transparencë dhe pa përgjegjësi,” shkruan Boshku.
Ai ngre akuza edhe për kërkesa financiare të pajustifikuara brenda partisë, duke i cilësuar si të papranueshme. “Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve,” shprehet ai, ndërsa shton se demokratët nuk duhet të mbajnë barrën e shpenzimeve për stilin e jetesës së drejtuesve.
Boshku thekson se ai dhe mbështetës të tjerë kanë qenë vazhdimisht aktivë në terren dhe në fushata, duke kundërshtuar pretendimet për largim nga partia. “Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar,” përfundon ai.
and then