
Eksperti i ekonomisë Zef Shtjefni, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka analizuar ndikimin e konfliktit në Iran dhe bllokimit të Ngushticës së Hormuzit në ekonominë globale dhe atë shqiptare.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si prodhues i madh i naftës, nuk do të ketë probleme të drejtpërdrejta, por situata mund të ndikojë rëndë vende si India dhe Kina që varen nga furnizimet energjetike. “Lufta nuk sjell gjë të mirë… por ne na interesojnë pasojat tek ne,” theksoi ai.
Duke bërë një paralelizëm me luftën në Ukrainë, Shtjefni kujtoi rritjen e fortë të çmimeve të karburantit në Shqipëri. “Nafta nga 170 lekë shkoi në 270 lekë për litër. Më pas pati rënie, por nuk u kthye në nivelet e mëparshme,” tha ai, duke paralajmëruar se një skenar i ngjashëm mund të përsëritet.
Ai u ndal edhe te tregu energjetik në vend, duke theksuar kontradiktat në çmime. “Ne sot e shesim energjinë me 30-50 euro, ndërsa industrisë sonë ia shesim më shtrenjtë. Kjo mund të ndodhë edhe me naftën, e cila sot është rreth 217 lekë për litër dhe mund të mos kthehet më në nivelet e mëparshme,” u shpreh eksperti.
Shtjefni theksoi se shtetet shpesh nuk janë të interesuara për ulje të çmimeve, për shkak të ndikimit në buxhet. “Ulja e akcizës kompensohet me TVSH nga rritja e çmimit. Shtetet do t’i gjejnë diku të ardhurat,” tha ai.
Ai theksoi rolin e qeverisë në situata krize, duke nënvizuar se ndërhyrja është e nevojshme për të frenuar spekulimet në treg. “Qeveria ka vendosur një vijë të kuqe për çmimet, por nëse kjo zgjat, mund të ketë ndërhyrje edhe nga Gjykata Kushtetuese,” u shpreh ai.
Eksperti solli edhe shembuj nga rajoni, ku vendet kanë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar krizën: ulje të TVSH-së në Maqedoninë e Veriut, ulje të akcizës në Serbi dhe Malin e Zi, si dhe mbështetje financiare në Greqi.
Shtjefni paralajmëroi gjithashtu për ndikimin zinxhir në ekonomi. “Rritja e çmimit të naftës sjell rritje të kostove në të gjitha sektorët. Produktet plastike dhe të tjera mund të rriten me 25%,” tha ai, duke theksuar se mungesa e rafinerive në vend e përkeqëson situatën.
Në fund, ai ngriti shqetësimin për qëndrueshmërinë fiskale dhe tregun e brendshëm. “Kemi rritje pagash me vendim qeverie, por kam frikë se nuk do të ketë para për t’i përballuar. Shpenzojmë rreth 4.5 miliardë për paga dhe pensione, duke kaluar kufijtë e sigurt të buxhetit,” u shpreh Shtjefni.
Sipas tij, kombinimi i çmimeve të larta të energjisë, rritjes së pagave dhe mungesës së fuqisë punëtore po e vendos ekonominë shqiptare përballë një situate të vështirë. “Me këto kosto, bizneset rrezikojnë të hyjnë në humbje që në muajin e parë,” përfundoi ai.
and then